Përdorimi i barnave për disfunksion erektil ka një rëndësi shumë më të gjerë shëndetësore sesa është menduar deri tani

Në dritën e provave gjithnjë në rritje mbi efektet e tyre sistemike në shëndetin e enëve të gjakut, barnat që për dekada janë parë vetëm si terapi për disfunksion seksual po konsiderohen gjithnjë e më shumë si aleatë potencialë në parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve kronike serioze.


Një studim i ri, i publikuar më 13 shkurt në revistën shkencore The World Journal of Men's Health, tregon se barnat për ereksion, si Viagra dhe Cialis, mund të kontribuojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, përfshirë goditjen në tru, si dhe në përmirësimin e përgjithshëm të qarkullimit të gjakut. Përveç kësaj, janë vërejtur përfitime të mundshme edhe te diabeti, hiperplazia beninje e prostatës (zmadhimi i prostatës) dhe çrregullimet e traktit urinar.

Këto probleme prekin miliona burra që jetojnë me kancer të prostatës ose e kanë kaluar këtë sëmundje. Veçanërisht e rëndësishme është fakti se mbi 80 për qind e burrave të trajtuar për kancer të prostatës zhvillojnë disfunksion erektil, ndërsa opsionet terapeutike vazhdojnë të përdoren në mënyrë të pamjaftueshme.

Një studim tjetër, i realizuar nga organizata britanike Prostate Cancer UK, forcon argumentet për përfshirjen më të hershme dhe sistematike të këtyre barnave në protokollet terapeutike për pacientët me kancer të prostatës, transmeton Telegrafi.

Çfarë janë barnat për disfunksion erektil dhe si veprojnë

Barnat për disfunksion erektil klasifikohen si frenues të fosfodiesterazës tip 5 (PDE5).

Mekanizmi i tyre bazohet në bllokimin e enzimës PDE5, e cila në kushte normale shkakton tkurrjen e muskujve të lëmuar dhe ngushtimin e enëve të gjakut, duke kufizuar rrjedhën e gjakut.

Kur kjo enzimë frenohet, ndodh relaksimi i murit vaskular dhe zgjerimi i enëve të gjakut (vazodilatimi), duke rritur qarkullimin e gjakut në inde të ndryshme. Efekti më i njohur klinik shfaqet në indin erektil të penisit, ku rritja e perfuzionit mundëson dhe mban ereksionin.

Megjithatë, i njëjti mekanizëm hemodinamik ka karakter sistemik dhe nuk kufizohet vetëm në sistemin riprodhues.

Analizat e studimeve tregojnë se efektet e frenuesve PDE5 shtrihen edhe në sisteme të tjera organike, përfshirë sistemin kardiovaskular, cerebrovaskular, pulmonar dhe urinar.

Rëndësia sistemike: nga zemra te trakti urinar

Veçanërisht theksohet përfitimi i mundshëm te sëmundjet e zemrës, ku vazodilatimi dhe ulja e rezistencës vaskulare mund të përmirësojnë qarkullimin dhe të zvogëlojnë ngarkesën mbi muskulin e zemrës.

Të dhënat tregojnë gjithashtu një lidhje midis përdorimit të këtyre barnave dhe uljes së rrezikut për goditje në tru, gjë që lidhet me përmirësimin e funksionit të enëve të gjakut dhe stabilizimin e qarkullimit cerebral.

Përfitime janë vërejtur edhe te diabeti, një gjendje që shpesh shoqërohet me disfunksion erektil, sidomos te burrat e moshuar dhe ata të trajtuar për kancer të prostatës.

Gjithashtu, literatura shkencore identifikon përfitime te burrat me zmadhim të prostatës, ku relaksimi i muskujve të lëmuar në prostatë dhe qafën e fshikëzës urinare lehtëson urinimin dhe redukton simptomat e traktit urinar të poshtëm.

Terapia ekziston, por përdoret pak

Sipas organizatës Prostate Cancer UK, mbi gjysmë milioni burra në Mbretërinë e Bashkuar jetojnë me kancer të prostatës ose e kanë kaluar atë.

Pavarësisht shpeshtësisë së lartë të problemeve me ereksionin, terapia me frenues PDE5 vazhdon të jetë e nën-përdorur, edhe tek pacientët me simptoma të theksuara.

Ekspertët i bëjnë thirrje mjekëve të kujdesit parësor që të jenë më proaktivë dhe ta ofrojnë këtë terapi në mënyrë rutinore.

Sipas infermieres së specializuar Sophie Smith nga Prostate Cancer UK, trajtimi i kancerit të prostatës shpesh lë pasoja të rëndësishme në shëndetin seksual, prandaj barnat për ereksion duhet të diskutohen që në fillim të trajtimit.

Ajo thekson se shumë pacientë hezitojnë ta hapin këtë temë për shkak të turpit ose frikës se po “harxhojnë kohën e mjekut”.

Shëndeti seksual si pjesë e cilësisë së jetës

Mesazhi i ekspertëve është i qartë: shëndeti seksual është një komponent thelbësor i cilësisë së jetës, si gjatë trajtimit, ashtu edhe pas tij.

Edhe pse këto barna nuk janë të përshtatshme për të gjithë, për shembull për pacientët që marrin nitrate, ekzistojnë alternativa terapeutike. /Telegrafi/