Barça bombastike e djegë Getafen (Video)

Barcelona ka treguar se nuk e ka ndërmend të ndalet, pasi e mposhti me rezultat të thellë 6-0 Getafen, para 90 mijë tifozëve në Camp Nou.
Barcelona takimin e filloi pa Luis Suarezin, por kjo nuk pengoi katalanasit që të zhvillojnë lojë fenomenale.
Pas vetëm tetë minutash lojë, një pasim e devijon në gol të tij Rodriguez, duke i dhënë epërsinë me autogol Barcelonës (8').
Vetëm dy minuta më vonë u akordua një penalti për Barcelonën, por të cilën fatkeqësisht e humbi Lionel Messi. Portieri mysafir ia ndali goditjen e ulët argjentinasit.
Që nga ky moment Messi edhe më keq ndezi motorët.
Një super pasim të Iniestas e pranoi mirë Messi, i cili asistoi te El Haddadi për të realizuar për 2-0 (19').
Vetëm pak minuta më vonë (32') ishte Messi ai që vuri në pozitë shënimi me një tjetër asist Neymarin, i cili realizoi për 3-0.
Dhe pak para fundit të pjesës së parë (40'), Lionel Messi pasi pranoi topin, bëri një lëvizje mjeshtërore, lansoi një goditje nga jashtë zona e 16 metërshit, duke gozhduar portierin mysafir me një supergol për 4-0.
Në pjesën e dytë Messi kompletoi hettrikun e asistimeve kur e vuri Neymarin para një pozitë ideale që ai nuk e la pa e shfrytëzuar për 5-0 dhe golin e dytë të brazilianit (51').
Pas një korneri përfitoi Arda Turan, i cili realizoi për 6-0 (57').
Deri në fund të takimit Barca e uli tempon e lojës dhe nuk shënoi gola, por as nuk pranoi.
Me këtë fitore Barcelona ka 75 pikë, nëntë më shumë se Atletico Madridi dhe 15 më shumë se Real Madridi. Edhe Atletico edhe Reali kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar. /Telegrafi/





















































