Banorët e lagjeve “Bylbyldere” dhe “Ralin” në Prizren me votën e tyre kanë përzgjedhur projektin më prioritar për financim nga buxheti komunal i vitit 2026.

Votimi për projektin më të preferuar të komunitetit është realizuar në kuadër të nismës “Buxhetimi me pjesëmarrje”.


Në lagjen “Bylbyldere” banorët një javë më parë patën propozuar dy projekte: ndërtimin e një qendre rekreative sportive ose rinovimin e shkollës “Mustafa Bakiu”.

“Në ciklin e takimeve për “Buxhetim me Pjesëmarrje”, banorët e lagjes “Bylbyldere" votuan për projektin "Ndërtimi i qendrës rekreative sportive"”, thuhet në njoftimin e Komunës, raporton Telegrafi.

Ndërkaq në lagjen “Ralin” banorët javën e shkuar patën propozuar disa projekte: rinovimin e parkut te Marashi; vendosjen e pusetave në rrugët në Kurillë, vendosjen e sinjalistikës rrugore tek trekëndëshi, ose krijimin e kabinetit kibernetik në shkollë.

“Në lagjen “Ralin” u votua projekti "Vendosja e pusetave në rrugën “Kurilla”", thuhet në njoftimin e Komunës, raporton Telegrafi.

Këto projekte, që janë propozuar dhe votuar nga vet qytetarët, sipas njoftimit të Komunës do të financohen nga buxheti komunal. /Telegrafi/