Përfaqësuesit e Listës Serbe, pas marrëveshjes LVV-LDK, kanë shkuar në Serbi. Kjo sipas tyre, për t’u konsultuar me Beogradin lidhur me qeverinë e re.Ata kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin seancën e Kuvendit, dhe nuk do ta votojnë qeverinë Kurti.Për këtë ka reaguar deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci.Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka thënë se Lista Serbe kishte qëndrim krejtësisht tjetër para disa ditësh dhe pikërisht kur u arrit koalicioni qeverisës, ata dolën kundër votimit të Qeverisë.“Para dy ditësh, kur mendohej se nuk do të arrihej koalicioni, Lista Serbe deklaroi se "nuk do të bëhemi pengesë për votimin e Qeverisë", ishte e qartë që përmes LS, treshja ballkanike, tentonte ta komprimitonte Lëvizjen Vetëvendosje, duke e improvizuar një situatë në Kuvend ku votën pro Qeverisë Kurti, do ta jepnin vetëm 2 grupe parlamentare LVV dhe LS. Dje dhe sot, kur u bë e qartë se koalicioni ka shumicë shqiptare, Vuçiqi me këshilltarët e tij ballkanik, vendosi të kalojë në anën tjetër: të votojë kundër Qeverisë sepse tashmë e dinë se u ka dështuar plani”, thotë Bajqinovci.“Lëvizja ka përballuar shumë inskenime të tilla nga kasta e krimit politik në Kosovë e Ballkan por u ka mbijetuar e është forcuar. Kot e keni. Ky është edhe një rast i ngjashëm sikurse tek futja e NISMËS në Kuvend kur krimi pa atdhe përdori Listën Serbe, duke mos e lënë të ankohej për votat që gjithmonë i janë numëruar”, theksoi ai.


Më tej ka thënë se Serbia e do një Kosovë të korruptuar, dhe kështu është kundër atyre që do ta çojnë Kosovën përpara.“Serbia nuk ja do Kosovës një Qeveri anti-korrupsion. Ajo e do kastën e korruptuar në krye të Kosovës, sepse kështu, atë që do të donte ta bënte me tanke, ja kryen për mrekulli establishmenti i derisotshëm në krye të vendit. Pra, janë partnerë. I bashkon puna e përbashkët kundër Kosovës. Për këtë arsye, Lista nuk e voton Qeverinë që i ka numrat. Do të mund ta votonte, vetëm nëse nuk i ka numrat, për ta dëmtuar politikisht dhe në imazh. Mirëpo... dështuat”, ka shkruar Bajqonovci. /Telegrafi/