Poezi nga: Frederik Rreshpja
Rri në shi. Kjo është e vetmja gjë që dua.
Ç’është ky? Pyesnin pikat e shiut mbi-ballin tim.
Kështu kam dëgjuar zërin e shiut,
Një ditë vere rrëzë lisit plak,
Te porta lënë hapur për zogjtë.
Ah, kur isha i ri dhe i bukur kujtoja
Se tërë shirat e botës binin për mua,
Po tani që kanë kaluar kaq shumë vite
E di se s’ka asnjë kuptim që bie shi.
Iku dhe nëna ime nën një shi prej mermeri,
Nga arkeologjia e perëndive që rrëzoheshin.
Ave, nëna ime!
Vetëm tek ti kam besuar,
Zot tjetër nuk kam patur kurrë. Amen!