Pas raportimeve në media se në një pikë të rrjetit të marketeve ETC, kushtet për mishin në të cilin transportohet nuk janë adekuate në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), kanë bërë inspektime dhe që ato raportime nuk janë përputhur me faktet pas inspektimeve të kësaj agjencie.
Zëdhënësi i AUV-së Lamir Thaçi, ka thënë për Telegrafin se çdo ankesë që marrin nga qytetarët ata e trajtojnë, duke dal dhe verifikuar faktet.
“Disa nga detajet në video nuk përputhen me pamjen fizike të tanishme të objektit. Megjithatë është inspektuar qendra tregtare me theks të veçantë sektori i mishit. Tani objekti ka hyrje të veçantë për furnizim sipas standardit që kërkohet për siguri ushqimore. Mjeti transportues gjatë furnizimit mund të ofrohet apo puthitet me portën e furnizimit ku pamundësohet kontakti me ambientin e jashtëm. Produktet e vendosura në hapësirën shitëse, kanë qen të pajisura me dokumentacion të nevojshëm dhe njëkohësisht në kushte të mira higjienike”, tha ai.
Thaçi ka thënë se raportimet për rastin e mishit në një pikë të rrjetit të marketeve ETC nuk është përputhur me kohen e raportimit nga mediat.
“Për rastin në fjalë është vërtetuar se nuk ka të bëj me periudhën kohore në të cilën është publikuar ne media. Është marrë deklaratë nga menaxheri i pikës shitëse i cili ka ofruar disa dëshmi të cilat shihen edhe ne video. Punonjësit shihen me rroba të cilat përdoren në sezon të verës, menaxheri na konfirmoj se njëri nga punonjësit që shihet në video ka më shumë se një vit që nuk punon në qendër tregtare. Për të marrë masa mbi një rast gjithmonë duhet të ofrohen dëshmi për kohen kur ka ndodhur. Pamje të ngjashme të cilat kanë ndodhur ne të kaluarën, ato mund të shfaqen apo përsëriten çoftë tani apo në të ardhmen. Ato nuk përkojnë me realitetin për kohen kur publikohen andaj nuk duhet të shkaktojnë konfuzion për konsumatorët”, ka thënë për Telegrafin zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi. /Telegrafi/