Objektivi i atentatit të ndodhur të dielën në mbrëmje në në Rrilë të Lezhës dyshohet se ka qenë Merando Nikulaj, 21 vjeç, ndërkohë që plumbat i mori 30-vjeçari Sokol Daci, pronar i berberhanes ku po qethej Nikulaj.

Autorët me dy automjete, një Audi dhe një Passat ndaluan përpara berberhanes dhe pasi zbritën nga makinat, dy prej tyre qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të berberhanes ku ndodhej i riu Merando Nikulaj, raporton A2.


Brenda biznesit ka qenë edhe një efektiv policie, i cili është kundërpërgjigjur autorëve, dhe që me ndërhyrjen e tij mesa duket ka evituar që atentati të kishte viktima. Në dëshminë e tij paraprake polici ka deklaruar se është gjendur rastësisht në berberhane dhe se ngjarja ka ndodhur shumë shpejt dhe se nuk i ka parë autorët.

Hetuesit kanë marrë gjurmët e gjakut në vendin e ngjarjes, ku pritet të bëhet analiza e ADN-së, për të zbuluar nëse kemi të bëjmë vetëm me një person të plagosur, apo nëse përveç berberit të jetë plagosur edhe Nikulaj, shënjestra e atentatit. Burime policore bëjnë me dije se dyshohet se Nikulaj mund të ketë mbetur edhe ai i plagosur në këmbë.

Nga breshëritë më të cilat është qëlluar, katër plumba kanë prekur edhe dy biznese të tjera përballë berberhanes, por fatmirësisht personat që ndodheshin brenda kanë shpëtuar pa u prekur.

Ndërkohë berberi 30-vjeçari Sokol Daci i cili u plagos aksidentalisht ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës, por me parametra jetësor stabël, në shërbimin e reanimacionit. Ai dyshohet të ketë marrë të paktën 4 plumba, në shpatull, bark dhe në këmbë.

Shënjestra e atentatit, 21-vjeçari Merando Nikulaj është nipi i Ardian Nikulaj, i vrarë më 19 prill 2023 në Shëngjin në hotelin e tij.