Arrestohen dy persona për vjedhje të rëndë në Vushtrri

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “vjedhje e rëndë”, lidhur me një rast të ndodhur më 23 mars 2025 në rrugën “Skënderbeu” në Vushtrri.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rasti ishte raportuar si vjedhje në një shtëpi private dhe pas hetimeve intensive, janë realizuar bastisje në dy lokacione të ndryshme në qytetin e Vushtrrisë.
“Si rezultat i hetimeve të zhvilluara dhe dyshimeve të bazuara, hetuesit policorë gjatë ditës së sotme kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Vushtrri, me ç’rast kanë arrestuar dy të dyshuarit M. M., 42 vjeç, dhe E. Xh., 44 vjeç, të dy shtetas të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Të dyshuarit janë identifikuar si përgjegjës për vjedhjen e rëndë që kishte ndodhur në një shtëpi në rrugën “Skënderbeu”.
Pas intervistimit në prani të avokatëve të tyre, Prokuroria Themelore ka vendosur që ndaj të dyshuarve të shqiptohet masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Hetimet lidhur me rastin vazhdojnë.

















































