Arrestohen dy persona për mashtrim, i kërkuan qytetarit mbi 100 mijë euro për shërim në Turqi

Dy persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të mashtrimit duke kërkuar 100 mijë euro nga një person për shërimin e një familjari të tij në një spital në Stamboll, edhe pse shpenzimet ishin mbuluar nga Qeveria e Kosovës.
Policia e Kosovës ka njoftuar se në kuadër të hetimeve për veprën penale të mashtrimit Sektori për Hetime Financiare, ka kryer sot bastisje në zyrat e një subjekti ekonomik në Prishtinë, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore.
Dyshimet lidhen me mashtrimin e një qytetari që i është kërkuar një shumë mbi 100 mijë euro për shërimin e një anëtari të familjes së tij në një spital në Stamboll, ndonëse shpenzimet ishin mbuluar nga Qeveria e Kosovës.
Gjatë bastisjes janë siguruar dokumente dhe pajisje si prova tjera.
Dy të dyshuarit I.P. dhe A.B. janë ndaluar për 48 orë, ndërsa një i dyshuar tjetër është në kërkim.
Hetimet janë duke vazhduar nga autoritetet për zbardhjen e plotë të rastit dhe për të siguruar drejtësi për të gjitha viktimat e mundshme. /Telegrafi/




















































