Arrestimi i ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Maqedonci: Serbia vazhdon të ketë qasje hegjemoniste ndaj Kosovës

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë sot se Serbia vazhdon të ketë qasje hegjemoniste ndaj shtetit të Kosovës.
Maqedonci kështu deklaroi në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kur u pyet lidhur me arrestimin e qytetarëve të Kosovës në Serbi.
“Sa i përket arrestimit të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Serbi, tashmë jemi dëshmitar që disa raste që ka ndodh... Kemi pasur një reagim të ashpër edhe një reagim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme që janë dikaster që adresojnë këtë çështje...”, tha ai, duke shtuar se si Ministri e Mbrojtjes e adresojnë këtë çështje te partnerët ndërkombëtar sa herë kanë mundësi.
Sipas tij, përveç kësaj, Serbia vazhdon të ketë qasje hegjemoniste ndaj shtetit të Kosovës.
“...Mirëpo përtej kësaj, Serbia vazhdon të zbatojë qasje hegjemoniste në raport me ekzistencën e shtetit tonë. Nuk është problem vetëm një pjesëtar i UÇK-së, nuk është problem vetëm një polic, është problem që Serbia vazhdon të ketë qasje hegjemoniste në raport me vendin tonë”, tha ai. /Telegrafi/


















































