Policia e Vlorës ka dalë në një konferencë për mediat për të dhënë detaje për arrestimin e shumëkërkuarit Flodian Plaku alias Florjan Serjani (Mamo), i cili dyshohet se është drejtpërdrejt i përfshirë në vrasjen e ish-policit Gentian Bejtja.

Arrestimi u bë në një hotel zonën e Orikumit, ku Plaku u kap në flagrancë i armatosur dhe me 25 mijë euro cash në çantë.


Gjatë ndërhyrjes policore në hotelin ku fshihej, së bashku me shtetasin Flodian Plaku, u kap edhe shtetasi Julian Aliaj alias Julian Pashaj, 43 vjeç, i cili gjatë operacionit u kap me një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë.

Flodian Plaku alias Florjan Serjani (Mamo) akuzohet për vrasjen e shtetasit Gentjan Bejtja, më datë 15.03.2024, i cili u qëllua me armë zjarri brenda rrethimit të banesës së tij.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se autorët janë afruar te banesa e viktimës, me një automjet tip “Land Rover” dhe pas kryerjes së vrasjes, janë larguar në fshatin Hasan, ku kanë djegur automjetin.

Flodian Plaku, i njohur edhe me nofkën “Qorri” ose “Pole”, dyshohet se ka pasur rol të drejtpërdrejtë në ngjarjen e rëndë kriminale./A2 CNN