Apple ia ka dorëzuar agjencive federale amerikane identitetet reale të së paku dy përdoruesve që përdorën funksionin e privatësisë “Hide My Email”, i dizajnuar për të fshehur adresat e tyre të emailit nga aplikacionet dhe faqet e internetit.

Hide My Email (Fshih Emailin Tim) është funksion që u lejon përdoruesve të abonuar në iCloud+ të krijojnë adresa emaili të anonimizuara që i ridrejtojnë mesazhet te adresa e tyre private - por dokumentet e gjykatës tregojnë se kjo nuk e pengon policinë që të zbulojë kush është pronari i atij adresë përmes një urdhri ligjor.


Sipas dokumenteve të marra nga TechCrunch, FBI-ja kërkoi të dhëna nga Apple gjatë hetimit për një email me kërcënime të dërguar ndaj Aleksis Vilkinsit, të dashurës së drejtorit të FBI-së Kash Patel.

Në përgjigje të kërkesës ligjore, Apple dha informacion që lidhte adresën e “Hide My Email” me llogarinë e vërtetë të përdoruesit - përfshirë emrin dhe adresën e emailit të tij - si dhe të dhëna për 134 adresa të tjera anonime të krijuara me këtë veçori.

Një rast tjetër përfshinte agjentë federalë të Shteteve të Bashkuara nga Shërbimi për Hetimet e Sigurisë së Brendshme (HSI), ku Apple gjithashtu bëri të disponueshme të dhëna rreth një përdoruesi tjetër përmes funksionit Hide My Email gjatë një hetimi mbi një skemë mashtrimi me identitet.

Ky incident nxjerr në pah kufizimet e privatësisë së postës elektronike: shumica e emailave nuk janë ende të koduar nga fundi në fund, dhe informacionet që Apple ruan për klientët e tij — përfshirë emrin dhe adresën e emailit — mund të jepen autoriteteve përmes urdhrave ligjorë. /Telegrafi/