Një gabim i vogël në ushqim, ekspozimi ndaj insekteve apo substancave alergjike mund të ketë pasoja të paparashikueshme dhe madje të përfundojë fatalisht nëse adrenalina nuk përdoret në kohë

Ekspertët kujtojnë se alergjitë sot shpesh quhen “sëmundjet e shekullit XXI”. Ky definicion nuk është rastësor, arsyeja është rritja e vazhdueshme e shfaqjes së tyre dhe ndikimi gjithnjë e më i madh në cilësinë e jetës së të prekurve. Alergjitë shfaqen në dy forma: si sëmundje kronike alergjike ose si reaksione të papritura akute, të cilat mund të qetësohen vetvetiu ose me ndihmën e medikamenteve. Më së shpeshti shfaqen lokalisht në lëkurë, përmes skuqjes dhe kruajtjes, por në disa raste mund të kalojnë në një reaksion sistemik alergjik të njohur si anafilaksi.


Anafilaksia është reagimi më i rëndë dhe më i shpejtë sistemik alergjik. Ndryshe nga reaksionet lokale që janë të kufizuara dhe zakonisht të padëmshme, anafilaksia është kërcënuese për jetën dhe në rastet më të rënda mund të përfundojë fatalisht.

Cilët janë simptomat e anafilaksisë?

Anafilaksia zakonisht zhvillohet shpejt dhe papritur, brenda pak minutash deri në disa orë, me përparim të shpejtë dhe përfshirje të shumë organeve dhe sistemeve. Simptomat më të shpeshta janë:

• Kruajtje intensive e pëllëmbëve dhe shputave
• Skuqje që përhapet shpejt në lëkurë
• Puçrra të ngjashme me shenjat e kontaktit me hithrën (urtikarie)
• Ënjtje e fytyrës, buzëve ose gjuhës, vështirësi në frymëmarrje, ndjesi mungese ajri, zhurmë në vesh dhe marramendje
• Rënie e menjëhershme e tensionit arterial
• Pasiguri në ecje
• Të përziera
• Nevojë urgjente për të vjella dhe dhimbje barku

Zhvillimi i anafilaksisë është i shpejtë dhe progresiv, shumica e simptomave shfaqen brenda disa minutash dhe, nëse nuk merren menjëherë masat e duhura, mund të çojnë në fatalitet. Duhet theksuar se anafilaksia mund të shfaqet edhe vetëm me disa nga simptomat e përmendura, pa ndonjë rend specifik, transmeton Telegrafi.

Çfarë mund të shkaktojë anafilaksinë?

Ushqimi – shkaku më i shpeshtë te fëmijët: qumështi i lopës, vezët, kikiriku dhe arrat e tjera, frutat e detit, si dhe gjithnjë e më shpesh aditivët, konservuesit dhe ngjyruesit artificialë në ushqimet e shpejta dhe të paketuara.
Medikamentet – shkak i shpeshtë te të rriturit: analgjetikët, antibiotikët, medikamentet për anestezi, kontrasti me jod, kimioterapia dhe terapitë biologjike.
Helmi i insekteve – pickimet e bletëve, grerëzave dhe grerëzave të mëdha.
Shkaqe të rralla – aktiviteti fizik ose ushtrimet.Anafilaksia idiopatike – shkaku mbetet i panjohur.

Shtrimet në spital janë rritur

Anafilaksia nuk është e shpeshtë, por është një gjendje kërcënuese për jetën dhe për të duhet të jemi të përgatitur. Shtrimet në spital për shkak të anafilaksisë janë rritur. Veçanërisht shqetësues është fakti se personat që kanë kaluar një episod anafilaksie kanë rrezik të lartë për ta përjetuar sërish.

Sipas udhëzimeve aktuale, medikamenti i parë i zgjedhjes në rast urgjence është autoinjektori me adrenalinë për vetëadministrim. Adrenalina duhet përdorur sa më herët, duke e aktivizuar autoinjektorin për injeksion intramuskular, direkt përmes rrobave, në pjesën e jashtme të të tretës së sipërme të kofshës. Nëse nuk ka përmirësim ose gjendja përkeqësohet, pas 5-15 minutash duhet përdorur një autoinjektor i dytë, prandaj rekomandohet që gjithmonë të mbahen dy autoinjektorë.

Pas përdorimit të adrenalinës, pacientët duhet patjetër të paraqiten në institucion shëndetësor për vëzhgim dhe trajtim të mëtejshëm. Pacientët duhet të trajnohen si ta përdorin autoinjektorin dhe të kujdesen ta zëvendësojnë me kohë kur t’i skadojë afati.

Të gjithë ata që kanë rrezik nga anafilaksia ose e kanë përjetuar atë, duhet ta vizitojnë alergologun për të mësuar masat e shmangies dhe vetëmbrojtjes.

Si duket jeta e përditshme e familjeve që jetojnë me anafilaksi?

Anafilaksia nuk është vetëm problem mjekësor, por edhe barrë e thellë psikologjike për të gjithë familjen, pavarësisht nëse bëhet fjalë për alergji ndaj ushqimit, pickimit të insekteve apo barnave.

Shqetësimi është i përhershëm, çdo gjë duhet planifikohet paraprakisht. Frika shoqëron çdo vakt, edhe në ditëlindjet e fëmijëve ku duhet ta largosh fëmijën tënd nga torta; çdo blerje ushqimesh, çdo shoqërim, qëndrimi në kolektiv, dhe sidomos udhëtimet apo ekskursionet. Mjafton një gabim i vogël për të sjellë pasoja të mëdha. Prandaj, që nga fëmijëria e hershme duhet mësuar të mos rrezikojmë me ushqime të panjohura, të kontrollojmë dy herë gjithçka dhe të mbajmë gjithmonë me vete dy autoinjektorë adrenaline. /Telegrafi/