Zyrtare: Elvis Rexhbeçaj rikthehet te Wolfsburgu
Wolfsburgu ka siguruar nënshkrimin e tyre të parë për sezonin e ardhshëm. Reprezentuesi kosovar Elvis Rexhbeçaj kthehet te klubi gjerman si lojtar i lirë pas katër vitesh te Augsburgu.
Mesfushori 28-vjeçar ka nënshkruar një kontratë me klubin e ri deri më 30 qershor 2030.
“Me Elvisin, po rikthejmë një lojtar që ka lidhje të ngushta me Wolfsburgun dhe qytetin. Jemi edhe më të kënaqur që ai është i përkushtuar ndaj klubit gjatë kësaj periudhe sfiduese”.
“Përtej cilësive të tij futbollistike, ai zotëron një personalitet të fortë që është i dukshëm si në fushë ashtu edhe jashtë saj.
“Ai jep gjithçka nga vetja në çdo ndeshje dhe merr përgjegjësi. Jemi të bindur se Elvisi do të jetë një aset i madh për ekipin me këto cilësi dhe mezi presim kthimin e tij në verë”, theksoi drejtori sportiv Pirmin Schwegler.
Për kthimin te Wolfsburgu, Rexhbeçaj tha se ndihet shumë i lumtur dhe se për të është një ndjenjë e veçantë.
“Kthimi në Wolfsburg do të jetë shumë i veçantë për mua. U rrita këtu dhe e nisa karrierën time në Bundesligë këtu. Do të jem gjithmonë mirënjohës për këtë”.
“Kështu që kur më erdhi përsëri mundësia, shpejt e kuptova se doja ta bëja. Por një gjë është gjithashtu e qartë: Do të jap gjithçka për Augsburgun deri në ndeshjen e fundit”, ka deklaruar ai./Telegrafi/


