Zyrtare: Edvin Kuc rikthehet te Ballkani
Ballkani e ka rikthyer ish-mesfushorin Edvin Kuc sërish në Suharekë.
Kuc që dikur ishte kapiten i “Xhebrailave” është rikthyer sërish me objektivin që ta fitojë prapë titullin me klubin nga Thëranda.
Komunikata e plotë pa ndërhyrje:
“FC Ballkani ka zyrtarizuar rikthimin e Edvin Kuç, një prej figurave më të rëndësishme të historisë së klubit në vitet e fundit.
Mesfushori rikthehet aty ku ka lënë gjurmë të mëdha, duke qenë kapiten dhe lider i skuadrës në periudhën më të suksesshme të klubit. Me të në fushë, Ballkani shkruajti histori, duke dominuar futbollin kosovar dhe duke u shpallur kampion tre sezone radhazi, përfshirë edhe sukseset në Kupë dhe Superkupë.
Kuç ishte një nga shtyllat kryesore të ekipit edhe në paraqitjet në arenën evropiane, ku Ballkani u prezantua me dinjitet në Conference League dhe fitoi respekt në nivel ndërkombëtar.
Rikthimi i tij shihet si një përforcim i madh në mesfushë dhe një rikthim i një figure që e njeh klubin, dhomën e zhveshjes dhe mentalitetin fitues të skuadrës.
Ballkani rikthen jo vetëm një lojtar, por një kapiten që ka qenë simbol i suksesit të klubit në vitet e arta të fundit”, thuhet në komunikatë./Telegrafi/


