Please enter at least 3 characters.

Zlatan Ibrahimovic nis punën, kërkon afrimin e yllit të Liverpoolit te Milani

Virgil van Dijk është shndërruar në ëndrrën e madhe të Milanit për përforcimin e repartit defensiv gjatë kësaj vere.

Sipas raportimit të “La Gazzetta dello Sport”, brenda klubit italian po zhvillohen diskutime lidhur me mundësinë e transferimit të kapitenit të Holandës në "San Siro", me pronarin e RedBird, Gerry Cardinale, dhe këshilltarin Zlatan Ibrahimovic që e konsiderojnë holandezin liderin ideal për skuadrën e trajnerit të ri Ruben Amorim.

Megjithatë, një operacion i tillë konsiderohet jashtëzakonisht i komplikuar për t'u realizuar.

Van Dijk ka kontratë me Liverpoolin deri në verën e vitit 2027, pasi vetëm në prill firmosi një marrëveshje të re dyvjeçare me klubin anglez.

Falë kontratës së re, qendërmbrojtësi përfiton rreth 24 milionë euro bruto në sezon, duke e bërë atë mbrojtësin më të paguar në futbollin evropian.

Sipas mediumit italian, pengesa kryesore nuk është shuma e transferimit, por paga e lartë e lojtarit dhe gatishmëria e tij për t'u larguar nga "Anfield".

Në të njëjtën kohë, Liverpooli nuk ka interes të humbasë një tjetër shtyllë të mbrojtjes, sidomos pasi gjatë kësaj vere Ibrahima Konate u transferua te Real Madridi si lojtar i lirë.

Në Milan, Zlatan Ibrahimovic vazhdon të ketë një rol të rëndësishëm në vendimet sportive të klubit dhe mbështet afrimin e lojtarëve me eksperiencë, të cilët mund të rrisin nivelin e skuadrës dhe të forcojnë hierarkinë në dhomën e zhveshjes.

“La Gazzetta dello Sport” thekson se Van Dijk është pikërisht profili që drejtuesit kuqezi kërkojnë prej kohësh, falë eksperiencës, personalitetit dhe aftësive të tij si lider në fushë.

Në rast se transferimi i holandezit rezulton i pamundur nga aspekti financiar apo sportiv, Milani tashmë ka identifikuar disa alternativa.

Goncalo Inacio i Sportingut konsiderohet objektivi kryesor alternativ, veçanërisht për shkak të njohjes së tij me trajnerin Ruben Amorim. Një tjetër emër që vazhdon të figurojë lart në listën e dëshirave të klubit italian është edhe qendërmbrojtësi i Benficas, Antonio Silva./Telegrafi/