Please enter at least 3 characters.

ZKA gjen varg shkeljesh në Prizren: Keqklasifikim milionash, kontrata pa para dhe nënvlerësim të pasurisë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka lëshuar një opinion të kualifikuar për Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Prizrenit për vitin 2025. Raporti ka zbardhur një sërë parregullsish dhe mospajtueshmërish ligjore që lidhen me menaxhimin e parasë publike, ku përfshihen keqklasifikime buxhetore mbi dy milionë euro, nënvlerësim të llogarive të arkëtueshme dhe vonesa të mëdha në pagesat ndaj operatorëve.

Sipas raportit të ZKA-së, ky auditim ka rezultuar me gjithsej 14 rekomandime, prej të cilave gjashtë janë të reja dhe tetë të përsëritura nga vitet paraprake , me të cilat menaxhmenti i komunës është pajtuar plotësisht.

Keqklasifikim masiv i shpenzimeve përmes përmbaruesve

Një nga gjetjet më të rënda që ka ndikuar direkt në kualifikimin e opinionit është keqklasifikimi i shpenzimeve në kategori joadekuate ekonomike në vlerë prej 2,148,191 euro. Këto pagesa janë realizuar përmes ekzekutimit të vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore për zbatimin e kontratës kolektive.

ZKA-ja sqaron se Thesari ka paguar 1,419,064 euro nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, si dhe 729,127 euro nga investimet kapitale.

"Kjo ka ndodhur për shkak se komuna nuk kishte marrë parasysh kërkesat e ligjit të buxhetit dhe qarkores buxhetore për të bërë planifikim adekuat sipas nevojave dhe kërkesave", thotë raporti, duke tërhequr vërejtjen se kjo praktikë jep informata çorientuese për shfrytëzuesit.

Nënvlerësohen llogaritë e arkëtueshme dhe pasuria e komunës

Auditori ka gjetur se llogaritë e arkëtueshme të prezantuara në Raportin Vjetor Financiar (në vlerë mbi 29.2 milionë euro) ishin nënvlerësuar për 355,098 euro. Ky gabim ka ndodhur sepse Drejtoria e Urbanizmit, si pasojë e neglizhencës së zyrtarëve, nuk i kishte raportuar saktë llogaritë e arkëtueshme që vijnë nga lejet e ndërtimit.

Përveç kësaj, Prizreni ka nënvlerësuar edhe pasurinë e vet kapitale. Shtatë pagesa në vlerë prej 839,226 euro për investime në infrastrukturën publike, të cilat ishin ende në fazën e punimeve (investime në vijim), nuk u prezantuan fare në raportin financiar.

Ajo që zgjon më shumë shqetësim është se në kategorinë "investime në vijim" ekzistojnë ende projekte të regjistruara që nga viti 2013 e deri në vitin 2023 në vlerë kapitale prej plot 47,270,834 euro. Këto pasuri, ndonëse mund të jenë në përdorim e sipër nga qytetarët, vazhdojnë të mbahen në letra si projekte të papërfunduara, duke bërë që komunës të mos i aplikohet zhvlerësimi i pasurisë.

Skandali me tenderët: Shpërpjesëtim i sasive të realizuara në teren

ZKA-ja ka identifikuar mospërputhje të mëdha sa u përket sasive të shpenzuara në raport me peshën e dhënë në dosjet e tenderit, gjë që dëmton transparencën në përzgjedhjen e ofertave më të lira.

  • Mirëmbajtja e drunjve dekorativë: Në kontratën me vlerë 210,000 euro, kategoria e parë (prerja e asfaltit, drunjve dhe anësorët) ishte paraparë të shpenzonte 20% të buxhetit (42,000 euro), por u realizuan vetëm 7,681 euro. Ndërkaq, kategoria e dytë (furnizimi dhe mbjellja) e cila peshonte 50% (105,000 euro), u mbingarkua duke u shpenzuar plot 196,980 euro apo 96% e tërë vlerës së kontratës.
  • Kolektorët e qytetit: Në kontratën për hartimin e projektit të kolektorëve kryesorë (vlera 100,000 euro), pozicioni i pestë për studimin e fizibilitetit kishte peshë vetëm 5% (apo 5,000 euro). Megjithatë, gjatë realizimit, ky pozicion u tejkalua jashtëzakonisht shumë duke kapur vlerën e 85,094 eurove (85% e krejt kontratës).

Miliona euro pa dokumentacion financiar dhe vonesa deri në 516 ditë

Gjetjet e Auditorit bëhen edhe më të rënda tek pjesa e pajtueshmërisë, ku është konstatuar një mungesë e theksuar e dokumentacionit financiar për urdhrat përmbarimorë të ekzekutuar në vlerë prej 3,884,852 euro. Po ashtu, komuna ka hyrë në obligime duke kontraktuar projekte kapitale pa pasur fare mbulesë të fondeve financiare.

Disiplina financiare mbetet sfidë më vete: në 19 raste të testuara, faturat në vlerë totale prej 1,294,286 euro u paguan me vonesa të mëdha, duke shkuar nga një e deri në plot 516 ditë vonesë pas afatit të rregullt ligjor.

Shpërfillen këstet për lejet e ndërtimit

Sipas vendimeve të Kuvendit Komunal të Prizrenit, investitorët që pajisen me leje ndërtimore dhe u lejohet pagesa me këste (për taksat që kalojnë vlerën 2,000 euro), duhet t'i kryejnë obligimet brenda 12 muajve. ZKA ka gjetur katër raste ku investitorëve u ishte mundësuar kjo formë, por kushtet e marrëveshjes nuk u respektuan nga ana e tyre. Zyrtarët përgjegjës të komunës dështuan të ndërmerrnin veprime administrative apo ligjore për arkëtimin e këtyre mjeteve, pasi komuna nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese apo sanksion për vonesat e investitorëve.

Auditorja e Përgjithshme i ka rekomanduar Kryetarit të Komunës së Prizrenit të rrisë kontrollet e brendshme, të sigurojë planifikim të mirë të nevojave, të ndërmarrë hapa ligjorë për mbledhjen e borxheve të lejeve të ndërtimit dhe të parandalojë hyrjen në kontrata pa zotim paraprak të mjeteve. /Telegrafi/