Zjarr në deponinë e mbeturinave në Trokan, kryetari i Dragashit bën apel për ndihmë
Një zjarr ka përfshirë deponinë e mbeturinave në vendin e quajtur Trokan (të fshatit Brrut) të Komunës së Dragashit.
Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka bërë apel urgjent për qytetarët, bizneset dhe fermerët që posedojnë pompa uji që t’u dalin në ndihmë Shërbimit të Zjarrfikësve për shuarjen e zjarrit.
Xheladini u ka bërë thirrje edhe kompanive dhe personave që kanë mundësi të angazhojnë kamionë të mbushur me dhe, pasi, sipas tij, kjo ndihmë është e domosdoshme për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit.
“Kamionët me dhe do të kompensohen”, ka njoftuar ai.
Kryetari i Dragashit ka kërkuar nga qytetarët që ta shpërndajnë apelin dhe të njoftojnë personat që mund të kontribuojnë në përballimin e situatës.
“Çdo ndihmë është e rëndësishme dhe e nevojshme në këtë moment”, ka apeluar Xheladini./Telegrafi/


