Please enter at least 3 characters.

Zgjedhjet lokale në Kosovë

A po i vjen fundi qeverisjes sipas formulës së Rambujesë?

Nëse LDK-ja nuk ia bën edhe më të qartë elektoratit të vet se qysh me këto zgjedhja do ta braktisë qeverisjen sipas formulës së Rambujesë, rrezikon shumë, humb vota, humb elektoratin, por e keqja është se kështu humb me të madhe edhe vet Kosova.

Ka një kohë që qeverisja në Kosovë, apo shtetbërja, është ngulfatur e njëkohësisht është duke u përcjellë me shumë sfida që seriozisht e vë në pikëpyetje të ardhmen.

Kjo qeverisje deri më tash është bërë sipas formulës së Rambujesë, të gjithë nga pak, e askush krejt! Ose, thënë më qartazi, në kohët më të vështira për Kosovën, gjatë viteve të rënda 1997,’98 e sidomos gjatë vitit të luftës ’99, edhe me ndihmën vendimtare të faktorit politik e ushtarak ndërkombëtar, ishte arritur në një mënyrë bashkimi i faktorit politik e ushtarak shqiptar që ishte në zënka, ngatërresa e përçarje të mëdha.

Të kujtojmë se në atë kohë kryeprojektuesit të pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, që, në mënyrë vendimtare e sfidoi makinerinë pushtuese e vrastare të Serbisë millosheviqiane, i dolën kundër grupe politike, individ e madje edhe intelektual të rangut të lartë duke akuzuar se me paqe dhe duke u mbështetur në faktorin ndërkombëtar, nuk çlirohet Kosova!

Tundimet e brendshme ishin të rënda. Kishin filluar përcarjet e mëdha edhe në masë e ngjarjet tragjike, gati si luftë civile në Shqipëri në vitin 1997, ua futen zjarrin edhe më shumë në Kosovë këtyre përçarjeve. Pas masakrave serbe në Reçak, e sidomos pas qëndresës heroike dhe flijimit biblik të Adem Jasharit me familje në Prekaz, në fillim të marsit të vitit 1998, gjërat sikur ndryshuan radikalisht në dobi të “ krahut” të luftës, si quheshin ata që kundërshtonin LDK-në.
Fati i shqiptarëve dhe i Kosovës pastaj në fillim të vitit 1999 duhej të vendosej në një Konferencë ndërkombëtare, si ishte ajo e Rambujesë në Francë. E, po ashtu me ndihmën dhe vendosjen ndërkombëtare, në delegacionin e Kosovës atje shkuan bashkë edhe Rugova, edhe Qosja, edhe Hashim Thaçi e Veton Surroi.

Pra, ishte kjo mundësia e vetme që të afrohen shqiptarët dhe të nënshkruajnë bashkërisht atë marrëveshje, pas të cilës pasoi ndërhyrja poashtu e përbashkët e NATO-s në Kosovë.

Deri në zgjedhjet e para komunale, parlamentare e presidenciale të Kosovës që u mbajtën në vitin 2000 administrata ndërkombëtare, UNMIK, kishte vendosur në qendër dhe nëpër komuna një qeverisje teknike, gjithëpërfshirëse, gati të përbashkët, po sipas formulës së Rambujesë, të gjithë nga pak, e më shumë “ krahu” i luftës.

Në zgjedhjet e para të pasluftës bindshëm fitoi LDK-ja me kryetar Ibrahim Rugovën. Por, qeverisja që u vendos pas atyre zgjedhjeve përsëri ishte bërë, me gjasë edhe me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, po sipas formulës së Rambujesë, Rugova u zgjodh në Kuvendin e Kosovës kryetar i Kosovës, ndërkaq kryeministri, z. Bajram Rexhepi, u zgjodh nga radhët e PDK-së së Hashim Thaçit.

Dhe, gjithnjë më vonë, edhe kur LDK-ja i ka fituar po ashtu me shumicë votat, edhe kur e ka pasur votën e elektoratit për të pasur fjalën kryesore në zgjedhjen e kryeministrit dhe të ministrave të tjerë, gjithnjë kjo parti ka lëshuar pe për të plotësuar formulën qeverisëse sipas Rambujesë.

Në fakt asnjë herë deri më tash, gjithnjë pas lufte, LDK-ja, edhe pse, me përjashtim të zgjedhjeve të fundit, fitonte më së shumti vota, nuk e caktoi kryeministrin nga radhët e veta! Historia do të tregojë se ishte e mirë, apo e keqe, kjo taktikë e LDK-së, që vazhdoi deri në zgjedhjet e sivjetme lokale.

Tash pozicionim më i qartë programor i LDK-së, nga fillimi në maje

A ka ndryshuar diçka sivjet? Duket se LDK-ja ka ndryshuar diçka për të mirë gjatë fushatës së deritashme për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Së pari shihet qartazi se qeverisja e LDK-së në koalicion me PDK-në, e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare fitoi më së shumti vota (nga një përqindje relativisht e vogël e votuesve që kishin dalë në zgjedhje, më së pakut në historinë e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë), është dëshmuar dhe po dëshmohet si një koalicion dhe qeverisje jo e natyrshme.

Dhe, si po thuhet tash, ai koalicion e ajo marrëveshje qeverisëse ishte bërë në të mirë të çështjeve, madhore, po e zëmë të çështjes së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, çështjes së aprovimit të Kushtetutës, flamurit, himnit të Kosovës, shpërndarjes së TMK-së e të formimit të FSK-së, të çështjes së decentralizimit e të formimit të komunave multietnike dhe të minoriteteve në Kosovë, çështjes së përcaktimit të vijës kufitare, etj., e që të gjitha këto ndodhen gjatë këtyre dy viteve të qeverisjes PDK-LDK.

Por, aktivistët e LDK-së elektoratit të vet duhet t’ja thonë më me zë e haptazi se u menaxhua mirë, apo jo situata e aprovimit të këtyre dokumenteve historike për Kosovën, u menaxhua mirë, apo jo, çështja e pamjes së flamurit të Kosovës, pa shenja të identitetit kombëtar, çështja e decentralizimit, ajo kufijve të Kosovës me Maqedoninë, tash me Malin e Zi, nesër me Serbinë, çështja e njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga shtetet anëtare të OKB-së, çështja e korrupsionit, krimit të organizuar, trafikimit të qenieve njerëzore, çështja e gjyqësisë, e rrymës elektrike, çështja zhvillimore ekonomike, çështja e doganave, etj.

Dhe, pastaj të thuhet haptazi se ka ardhur koha e tejkalimit të qeverisjes me Kosovën sipas formulës së Rambujesë. Duam të themi se LDK-ja dhe të gjitha partitë e tjera që synojnë marrjen e pushtetit në Kosovë me anën e votës së qytetarëve, në këto zgjedhje ka edhe pak kohë të japin mesazhe më të qarta se duhet të fitojë programi më i mirë, e jo formula, jo marrëveshjet prapa shpinës së votës dhe prapa shpinës së vullnetit të qytetarëve.

LDK-ja e ka shansin në këto zgjedhje komunale të dalë e para, të fitojë më shumë komuna dhe të bindë votuesit e vet dhe gjithë qytetarët, se në garën e ardhshme për qeverisje qendrore do të hyjë me program të qartë për zhvillimin e Kosovës si është synuar që nga e para: për zhvillimin e Kosovës së pavarur drejt Evropës e NATO-s, por pa e lënduar me korrupsion, krim të organizuar dhe me varfëri të skajshme.

Këto janë zgjedhje mostër, për zgjedhjet e ardhshme për qeverisje qendrore

Pra, me të përfunduar qeverisja sipas formulës së Rambujesë do të krijohej një gjendje më stabile politike, një qeverisje pozitë e qëndrueshme me shumicë, dhe opozitë aktive, si një korrektor po ashtu i qëndrueshëm shoqëror. Kështu ndodh në gjithë vendet e botës demokratike.

Për këto e shumë arsye të tjera mendojmë se elektorati në Kosovë sivjet ka shumë arsye që të dalë masovikisht në zgjedhje, që të vendos me votën e vet qeveritarët e ardhshëm komunalë, por se pikërisht këto zgjedhje janë uverturë, derë qelës dha matës i mirë i situatës çfarë do të pasojë gjatë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare që pritet të mbahen në vitin 2011.

Nëse LDK-ja nuk ia bën të qartë elektoratit të vet se qysh me këto zgjedhja do ta braktisë qeverisjen sipas formulës së Rambujesë, rrezikon shumë, humb vota, humb elektoratin, por e keqja është se kështu humb diçka të madhe edhe Kosova.