Please enter at least 3 characters.

Zgjedhjet lokale në Bogdanc, tre të dyshuar për falsifikim të dokumenteve zgjedhore

Janë ngritur kallëzime penale ndaj tre personave për keqpërdorim të të dhënave personale dhe falsifikim dokumentesh gjatë zgjedhjeve lokale në Bogdanc.

Ata kanë tentuar, përmes dokumenteve të falsifikuara, të dorëzojnë një listë kandidatësh për anëtarë të Këshillit të Komunës së Bogdancit.

Sipas kallëzimit të Njësisë për Punë të Brendshme në Gjevgjeli, një 40-vjeçar nga Bogdanci, gjatë muajit shtator 2025, pa pëlqim ka përdorur të dhënat personale nga letërnjoftimi dhe pasaporta e nënës së tij dhe e një personi tjetër, të cilat më pas ia ka dorëzuar një 33-vjeçari nga Shkupi.

I dyshuari nga Shkupi i ka përdorur këto të dhëna në procedurën e kandidimit pranë Komisionit Zgjedhor Komunal në Bogdanc, ku janë falsifikuar edhe nënshkrimet e personave, të dhënat e të cilëve ishin keqpërdorur.

I dyshuari i tretë, një 45-vjeçar nga Shkupi, sipas kallëzimit, më 13 shtator 2025 në Bogdanc ua ka dorëzuar dokumentet e rreme anëtarëve të Komisionit Zgjedhor Komunal, me qëllim dorëzimin e listës së kandidatëve për anëtarë të Këshillit Komunal.

Ndaj të dyshuarve janë ngritur kallëzime penale për veprat “keqpërdorim i të dhënave personale”, “falsifikim dokumentesh” dhe “ndihmë në falsifikim”, ndërsa procedura vazhdon pranë organeve kompetente.