Please enter at least 3 characters.

Zendaya u shfaq me bizhuteri mijëravjeçare, por një detaj ngriti dyshime për origjinën e tyre

Vathët me disqe të lashta ari, të lidhura me Iranin e sotëm, e kthyen paraqitjen e aktores në temë debati për modën, antikitetet dhe trashëgiminë kulturore

Zendaya tërhoqi sërish vëmendjen gjatë promovimit të filmit The Odyssey të Christopher Nolanit në Londër, por këtë herë jo vetëm për veshjen e saj.

Aktorja u shfaq me një fustan të bardhë të Jacquemus, të frymëzuar nga bota antike dhe nga perëndesha Athina, të cilën ajo e interpreton në film. Megjithatë, vëmendjen kryesore e morën vathët e artë që mbante.

Vathë me artefakte mijëravjeçare

Sipas mediave ndërkombëtare, në vathë ishin integruar disqe autentike ari që lidhen me thesarin e Ziwiyeh në Iran dhe datojnë rreth shekullit VII para erës sonë.

Artefaktet ishin përfshirë në një dizajn modern prej ari 18-karatësh dhe diamantesh, të krijuar nga argjendari Glenn Spiro.

Edhe pse paraqitja e Zendayas ishte e frymëzuar nga Greqia e lashtë, vetë objektet historike janë me origjinë iraniane, transmeton Telegrafi.

Ekspertët ngrenë pikëpyetje

Përdorimi i artefakteve autentike si aksesorë mode shkaktoi reagime të shumta. Ekspertë të trashëgimisë kulturore ngritën pyetje për historinë e pronësisë së disqeve dhe mënyrën se si ato kanë dalë nga Irani dhe kanë përfunduar në tregun privat të antikiteteve.

Në rrjetet sociale u shfaqën edhe pretendime se objektet mund të kenë ardhur nga një varr i plaçkitur. Megjithatë, kjo mbetet një hipotezë dhe nuk është vërtetuar.

Zendaya nuk ka reaguar publikisht ndaj polemikës.

Paraqitja e saj, ndërkohë, ka hapur një debat që shkon përtej modës: a duhet që artefakte mijëravjeçare të përdoren si bizhuteri dhe ku fillon përgjegjësia ndaj trashëgimisë kulturore? /Telegrafi/