Zemaj: LVV të qëndrojë larg ndërhyrjeve në procesin e votimit të diasporës
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka deklaruar se partia e tij mirëpret fillimin e procesit të regjistrimit të votuesve jashtë vendit, duke e vlerësuar atë si një element thelbësor të një sistemi demokratik transparent dhe gjithëpërfshirës. Në një konferencë për media, ai u bëri thirrje qytetarëve që jetojnë në mërgatë të shfrytëzojnë këtë mundësi për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.
“Sot ka nisur procesi i regjistrimit të votuesve jashtë vendit, një ndër proceset më të rëndësishme për garantimin e së drejtës demokratike të çdo qytetari, kudo që jeton. Lidhja Demokratike e Kosovës e mirëpret këtë proces dhe e vlerëson si pjesë të pandashme të funksionimit të një demokracie transparente dhe gjithëpërfshirëse”, tha Zemaj.
Ai ftoi të gjithë qytetarët që jetojnë në diasporë, e që nuk mund të jenë fizikisht në Kosovë ditën e zgjedhjeve, të regjistrohen dhe të votojnë. “Zëri i tyre ka vlerë, vota e tyre ka peshë, dhe pjesëmarrja e tyre është e domosdoshme për të ardhmen e vendit,” theksoi ai.
Deputeti i LDK-së gjithashtu u bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që, siç tha ai, të qëndrojë larg çdo tentative për ndërhyrje, presion apo bllokim të procesit të votimit të mërgatës, qoftë përmes postës apo përmes konsullatave dhe ambasadave.
Sipas Zemajt, votimi i qytetarëve jashtë vendit është proces i shtetit dhe jo i partive politike. “Respektimi i tij është obligim institucional, jo opsion politik", u shpreh ai. /Telegrafi/


