Zemaj grushtoi qytetarin, Kusari-Lila: Arsyetimi i dhunës nga LDK, i papranueshëm
Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se dhuna fizike e deputetit Armend Zemaj sot ndaj një qytetari në Prishtinë është e papranueshme, e dënueshme ligjërisht e politikisht, ndërsa skandaloz është edhe reagimi i LDK-së në mbështetje dhe arsyetim të kësaj dhune.
Në një reagim, Kusari-Lila ka thënë se arsyetimi i dhunës fizike si zgjidhje e një kontesti verbal është i rrezikshëm dhe i papranueshëm, dhe se është i njëjti argument që përdoret te dhuna familjare.
“Deputetët e Kuvendit, pavarësisht mospajtimeve politike, duhet ta kenë durimin dhe kulturën e komunikimit me këdo që nuk pajtohen, e aq më pak të ushtrojnë dhunë fizike ndaj qytetarëve të cilëve duhet t’ju shërbejë me punë dhe dedikim e jo me grushte. Ky reagim nuk ka motiv politik, por qytetar dhe njerëzor, për të mbrojtur shoqërinë që duam të ndërtojmë.”
Kusari-Lila përkujton se si deputete ka pasur fyerje, sulme e ofendime ndaj saj, por ajo asnjëherë nuk është marrë me gjëra të tilla.
“Kushdo që del në mbrojtje të dhunës fizike kundrejt ofendimit verbal, bëhet bashkëpjesëmarrës në ushtrim të dhunës. Thirrjet në mbrojtje të dhunës fizike, janë vetë dhuna”, ka përfunduar Kusari-Lila.


