Please enter at least 3 characters.

Zelensky: S'ka marrëveshje zyrtare për armëpushim në energji

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky thotë se nuk ekziston një marrëveshje zyrtare armëpushimi për objektivat e energjisë midis Ukrainës dhe Rusisë.

Ai shton se vendimi, të cilin Ukraina e sheh si një “mundësi” dhe jo si një marrëveshje të plotë, ishte një iniciativë e propozuar personalisht nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Zelensky tha se nëse Moska ndalon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, Kievi do të shmangë sulmet ndaj objekteve energjetike të Rusisë si përgjigje.

Përveç skepticizmit mbi atë nëse presidenti rus, Vladimir Putin ka pranuar vërtet të ndalojë synimin e infrastrukturës energjetike të Ukrainës për një javë, Volodymyr Zelensky ka folur edhe për raportet që thonë se ai është ftuar në Moskë.

Ai thotë se është i gatshëm për “çdo format” të samitit të liderëve, por jo një që zhvillohet në Moskë, duke e quajtur një hap të tillë “të pamundur”.

Zelensky shton se nuk do të takohej me Putinin as në Bjellorusi, një vend me lidhje të forta me Kremlinin.

Ai thekson se një marrëveshje përfundimtare mbi një plan paqeje mund të arrihet vetëm në një samit liderësh dhe sugjeron që Putini të vijë në kryeqytetin e Ukrainës, Kievin, në vend të Moskës.

“Unë e ftoj publikisht, nëse guxon, sigurisht”, tha lideri ukrainas.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale. /Telegrafi/