Zelensky paralajmëron: Rreziku i vitit 2022 mbetet ende real
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se vendi i tij vazhdon të përballet me kërcënime serioze të ngjashme me ato të fillimit të pushtimit rus në vitin 2022.
Në një takim me udhëheqës lokalë në Kiev dhe Çernihiv, ai deklaroi se “Ukraina nuk mund të lejojë përsëritjen, qoftë edhe pjesërisht, të rreziqeve me të cilat u përball populli ynë në shkurt të vitit 2022”.
Lideri ukrainas theksoi se kërcënimi që ekzistonte në fillim të luftës “është po aq i pranishëm edhe sot”, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe institucioneve të ruajnë vigjilencën dhe qëndrueshmërinë, shkruan skynews.
Rajonet e Kievit dhe Çernihivit ishin ndër zonat e para të goditura gjatë ofensivës ruse, kur trupat e Moskës hynë në Ukrainë nga territori i Bjellorusisë me synimin për të marrë kryeqytetin ukrainas.
Një ditë më parë, Zelenskyy paralajmëroi se Rusia mund të përgatisë një ofensivë të re në veri të Ukrainës, e cila sipas tij mund të nisë sërish nga Bjellorusia.
Në fjalimin e tij të natës, presidenti ukrainas tha se vendi po përgatitet për një skenar të tillë dhe dërgoi një mesazh të fortë drejt Moskës.
“Ata duhet ta kuptojnë: do të ketë pasoja për ta dhe ato do të jenë të mëdha”, deklaroi Zelensky. /Telegrafi/


