Please enter at least 3 characters.

Zekolli: Më 26 gusht vendosim gurthemelin e autostradës Shkup–Bllacë

kaltrina zekolli - shaqiri
kaltrina zekolli - shaqiri
kaltrina zekolli - shaqiri

Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli, ka zhvilluar një takim me Ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ku në fokus kanë qenë projektet strategjike infrastrukturore që lidhin Maqedoninë e Veriut me Kosovën.

Sipas Zekollit, takimi ishte i përzemërt dhe konstruktiv, ndërsa palët diskutuan për projektet që janë në realizim dhe ato që pritet të zhvillohen në periudhën e ardhshme.

Në krye të diskutimeve ishin autostrada Shkup–Bllacë dhe rruga Tetovë–Prizren, dy projekte të rëndësishme për përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore, qarkullimit dhe bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Zekolli bëri të ditur se më 26 gusht do të vendoset gurthemeli i fazës së dytë të autostradës Shkup–Bllacë, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt kompletimit të kësaj lidhjeje strategjike me Kosovën.

“Bashkëpunimi ynë me Kosovën vazhdon të përkthehet në projekte konkrete, duke krijuar lidhje më të shpejta, më të sigurta dhe më të fuqishme mes dy vendeve”, theksoi Zekolli në njoftimin e saj të publikuar në rrjetet sociale.