Ylli i Cityt do të largohet si lojtar i lirë,gjiganti evropian po mendon transferimin e tij
John Stones do të jetë i disponueshëm si lojtar i lirë këtë verë dhe Bayern Munich po shqyrton mundësinë për ta transferuar.
Sipas “Daily Mail”, kampionët e Gjermanisë janë duke analizuar mundësinë e afrimit të mbrojtësit anglez. Ndërkohë, gazetari Fabrizio Romano raporton se Stones i është ofruar si Bayern Munichut, ashtu edhe disa klubeve italiane.
Qendërmbrojtësi 31-vjeçar ishte lidhur me Bayernin edhe në muajin shkurt, por situata e tij ka ndryshuar ndjeshëm që atëherë. Në fund të prillit, Manchester City bëri të ditur se nuk do t’i ofrojë kontratë të re reprezentuesit anglez, i cili numëron 87 paraqitje me kombëtaren.
Si rrjedhojë, Stones do të largohet si lojtar i lirë në fund të sezonit. Mbrojtësi 1.88 metra i gjatë pritet të shqyrtojë disa opsione për të ardhmen, ndërsa interesim për të kanë shfaqur edhe klube të Ligës Premier.
Nga ana tjetër, Bayern Munich synon të përforcojë repartin defensivë gjatë afatit kalimtar veror. Mbetet të shihet nëse drejtori sportiv Max Eberl dhe drejtuesit e klubit bavarez do ta konsiderojnë Stones si përforcimin ideal për mbrojtjen. /Telegrafi/


