Yjet ndërkombëtarë i bëjnë homazhe Papa Françeskut pas ndarjes nga jeta në moshën 88-vjeçare
Papa Françesku ndërroi jetë të hënën e Pashkëve në moshën 88-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të thellë shpirtërore dhe njerëzore.
Vdekja e tij u përcoll me homazhe nga emra të njohur të botës së artit, sportit dhe politikës.
Whoopi Goldberg kujtoi me mall një takim të mëparshëm me Papën, duke e cilësuar atë si njeriun që solli një ndjesi të ngjashme me Papa Gjonin XXIII dhe që përfaqësonte dashurinë për gjithë njerëzimin.
Antonio Banderas, edhe pse është shprehur si agnostik, ndau një fotografie me Papën nga viti 2016, duke theksuar dashurinë dhe mëshirën që Françesku tregoi ndaj më të nevojtarëve.
Eva Longoria u shpreh: "Faleminderit që ishe zëri i të margjinalizuarve. Dhembshuria dhe përulësia jote do të kujtohen gjithmonë”.
Edhe figura të tjera si Livia Firth, Frank Bruno, prifti Richard Coles dhe Mbreti Charles bënë homazhe prekëse.
Charles tha se ishte "thellësisht i pikëlluar", por falënderues që e kishte takuar Papën disa javë më parë, gjatë një vizite në Romë.
Françesku e mbylli jetën me shërbime publike aktive, duke bekuar mijëra besimtarë në Sheshin e Shën Pjetrit të dielën e Pashkëve, vetëm pak javë pas daljes nga spitali.
Ai u përshëndet për herë të fundit si një udhëheqës shpirtëror që predikoi mëshirën, drejtësinë dhe kujdesin për të gjithë njerëzit.
Ceremonitë mortore do të zhvillohen në Bazilikën e Shën Pjetrit, ndërsa trupi i tij do të prehet në Santa Maria Maggiore, një vend i dashur për të gjatë gjithë pontifikatit. /Telegrafi/


