Waitz: Maqedonia mund të jetë anëtare e radhës në BE pas Malit të Zi
Raportuesit e Parlamentit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor kanë prezantuar në Strasburg projekt-rezolutat e bazuara në raportet vjetore të Komisionit Evropian për progresin e shteteve në procesin e integrimit evropian.
Në seancën plenare të Parlamentit Evropian u diskutuan raportet për Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Në debat mori pjesë edhe komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, si dhe eurodeputetë nga grupe të ndryshme politike.
Raportuesi për Maqedoninë, Thomas Waitz, vlerësoi se Ballkani Perëndimor mbetet një rajon i ndikuar nga faktorë të ndryshëm të jashtëm, duke kujtuar konfliktet e viteve ’90.
Ai theksoi se dy vende kanë arritur të shmangin dhunën masive – Mali i Zi dhe Maqedonia – duke shtuar se vendi ynë ka potencial të jetë ndër kandidatët kryesorë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Po, mund të themi se vendi nuk i ka zbatuar reformat aq shpejt sa do të duhej, por duhet të pranojmë gjithashtu se edhe ne në Bashkimin Evropian kemi dhënë premtime që nuk i kemi përmbushur", tha Waitz.
Sipas tij, Maqedonia dhe vendet e tjera të rajonit tregojnë gatishmëri për zbatimin e reformave të nevojshme, ndërsa BE-ja duhet të mbajë motivimin e tyre përmes përfitimeve konkrete edhe para anëtarësimit të plotë.
Ai përmendi si shembuj integrimin e pjesshëm në tregun evropian, lehtësimin e roamingut dhe anëtarësimin në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).
Waitz theksoi se zgjerimi i ardhshëm i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor do të sjellë përfitime të rëndësishme ekonomike dhe të sigurisë për Unionin, duke vlerësuar se pas Malit të Zi dhe Shqipërisë, Maqedonia mund të jetë vendi i radhës që i bashkohet familjes evropiane.


