VV në Prishtinë kundërshton rritjen e çmimit të biletës së transportit urban: Qytetarët po paguajnë dy herë për të njëjtin shërbim
Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Prishtinë, ka reaguar ndaj vendimit për rritjen e çmimit të biletës së transportit urban, duke e cilësuar atë si barrë të padrejtë për qytetarët dhe si pasojë të, siç thuhet, dështimeve të qeverisjes aktuale komunale.
Në një komunikatë për media, VV në Prishtinë ka deklaruar se pas pesë vitesh qeverisje nuk janë realizuar investime të mjaftueshme në transportin publik.
"Vendimi për rritjen e çmimit të biletës së transportit urban është dëshmi se qeverisja e PDK-së dhe LDK-së në Prishtinë ka zgjedhur t’ua kalojë qytetarëve koston e dështimeve të veta", thuhet në komunikatë.
Sipas kësaj force politike, në sektorin e transportit publik nuk janë bërë përmirësime të dukshme.
"Pas pesë vitesh qeverisje, bilanci është i qartë: asnjë autobus i ri për Trafikun Urban, asnjë përmirësim i kushteve për udhëtarët, asnjë rritje e cilësisë së shërbimeve. Në vend të investimeve dhe reformave, qytetarëve u servohet vetëm një biletë më e shtrenjtë", thuhet më tej.
VV në Prishtinë ka përmendur edhe premtimet elektorale të subjekteve në pushtet, duke pretenduar se ato nuk janë përmbushur.
"PDK dhe LDK kërkuan besimin e qytetarëve duke premtuar zgjidhje për trafikun dhe transportin publik. Uran Ismaili, partneri kujdestar i Përparim Ramës, premtonte transport publik falas. Sot, me PDK-në në pushtet, qytetarët nuk marrin transport falas, por një biletë dy herë më të shtrenjtë", thuhet në komunikatë.
Në reagim theksohet se qytetarët po përballen me kosto të dyfishtë për shërbimin e njëjtë.
"Kjo tregon se për PDK-në dhe LDK-në, premtimet zgjasin vetëm deri në ditën e zgjedhjeve. Pas zgjedhjeve, qytetarët përballen me tarifa më të larta, ndërsa Kryeqyteti vazhdon të ketë të njëjtat probleme: mungesë autobusësh, shërbim të pamjaftueshëm, pritje të gjata dhe mungesë vizioni për zhvillimin e transportit publik", thuhet më tej.
Po ashtu, VV në Prishtinë ka përmendur buxhetin e ndarë për transportin publik, duke e konsideruar të pamjaftueshëm arsyetimin për rritjen e çmimit të biletës.
"Komuna e Prishtinës ka buxhetuar mbi 8 milionë euro për transportin publik në vitin 2026. Këto janë para të qytetarëve, të mbledhura nga taksat e tyre. Megjithatë, përveç këtij financimi, qeverisja e Përparim Ramës ka vendosur ta shtrenjtojë edhe biletën", thuhet në reagim.
Në fund, kjo subjekt politik ka kërkuar tërheqjen e vendimit për rritjen e çmimit të biletës.
"Ky vendim është marrë pa asnjë analizë të qartë, pa asnjë logjikë ekonomike dhe pa asnjë vizion zhvillimor. Prandaj, ne e kundërshtojmë këtë vendim dhe kërkojmë nga ekzekutivi i Kryeqytetit ta tërheqë menjëherë", thuhet në komunikatë.
Sipas VV në Prishtinë, kryeqyteti ka nevojë për përmirësim të shërbimit dhe jo për rritje të çmimeve të transportit urban. /Telegrafi/


