Volvo prezanton 'rripin e sigurisë të së ardhmes - që përshtatet me trupin dhe aksidentin'
Volvo ka prezantuar një teknologji revolucionare sigurie, duke “rishpikur” rripin e sigurisë për herë të parë që nga viti 1959.
Rripi i ri, i quajtur “multi-adaptive safety belt”, përshtatet me trupin e pasagjerit dhe llojin e përplasjes përpara se ajo të ndodhë.
Teknologjia do të debutojë në modelin e ri plotësisht elektrik Volvo EX60.
Sistemi përdor të dhëna në kohë reale nga sensorët e brendshëm dhe të jashtëm të makinës për të analizuar shpejtësinë, drejtimin dhe ashpërsinë e aksidentit.
Ai merr gjithashtu parasysh madhësinë, pozicionin dhe qëndrimin e pasagjerit në ulëse.
Ndryshe nga rripat aktualë që ofrojnë deri në tre nivele force, rripi i ri i Volvo-s thuhet se ka 11 profile të ndryshme mbrojtjeje.
Kjo lejon një shpërndarje më të saktë të forcës, duke ulur rrezikun e dëmtimeve në kraharor dhe shtyllën kurrizore.
Siç theksohet më tej, teknologjia është zhvilluar mbi bazën e analizës së më shumë se 80 mijë aksidenteve reale gjatë 50 viteve kërkim.
Sistemi funksionon automatikisht dhe nuk kërkon asnjë konfigurim nga drejtuesi apo pasagjerët.
Volvo thekson se rripi i ri do të përmirësohet edhe pas blerjes së makinës përmes përditësimeve “over-the-air”, duke e bërë sigurinë “gjithnjë e më inteligjente”. /Telegrafi/


