Vjedhja e trafostacionit lë pa ujë dy pompa në Suharekë, rrezikohen furnizimet në disa fshatra
Një vjedhje në Stacionin e Pompave në Pusi i Atit ka shkaktuar probleme në sistemin e furnizimit me ujë në Suharekë dhe në disa fshatra përreth.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur se gjatë natës së kaluar është demoluar dhe vjedhur trafostacioni elektrik që furnizonte me energji dy pompa të ujit.
“Zyrtarisht jemi njoftuar nga Hidroregjioni Jugor se gjatë natës së kaluar, në Stacionin e Pompave në Pusi Atit, ka ndodhur një vjedhje, ku është demoluar dhe vjedhur trafostacioni elektrik që furnizonte me energji dy pompa të ujit”, ka njoftuar Muharremaj.
Si pasojë e dëmtimit, të dyja pompat kanë mbetur jashtë funksionit, ndërsa mund të ketë kufizime në furnizimin me ujë në qytetin e Suharekës dhe në disa fshatra.
Sipas njoftimit të kryetarit, zonat që mund të preken janë Gelanca, Gjinoci, Leshani, Terrnja, Nepërbishti dhe Shiroka.
“Si pasojë, dy pompa kanë mbetur jashtë funksionit dhe mund të ketë kufizim të furnizimit me ujë në qytet dhe në disa fshatra, përfshirë Gelancën, Gjinocin, Leshanin, Terrnjen, Nepërbishtin dhe Shirokën, deri në gjetjen e një zgjidhjeje për sanimin e dëmit dhe rikthimin e funksionimit të pompave”, ka deklaruar Muharremaj.
Ai ka sqaruar se Komuna e Suharekës nuk ka kompetencë të drejtpërdrejtë në menaxhimin e furnizimit me ujë, pasi kjo përgjegjësi i takon KRU Hidroregjioni Jugor.
“Theksojmë se Komuna e Suharekës nuk ka kompetencë direkte në menaxhimin e furnizimit me ujë, pasi kjo përgjegjësi i takon Hidroregjionit Jugor”, ka thënë Muharremaj.
Megjithatë, ai ka bërë të ditur se Komuna do ta përcjellë situatën dhe do të ofrojë bashkëpunimin e nevojshëm për sanimin e dëmit.
“Meqë kemi pranuar njoftim zyrtar për këtë situatë, e konsiderojmë të rëndësishme që qytetarët të informohen me kohë dhe në mënyrë transparente”, ka shkruar ai.
Muharremaj ka shtuar se Komuna do ta përcjellë situatën nga afër dhe, brenda kompetencave të saj, do të bashkëpunojë për tejkalimin sa më të shpejtë të problemit. /Telegrafi/


