Vettel: Jemi larg nga Mercedes
Me francezin Jules Bianchi në bord, kokëkuqja regjistroi kohën më të mirë, duke lënë pas makinat e tjera, shumica e të cilave drejtoheshin nga pilotët testues. Mes të mëdhenjve, Hamilton fillimisht pati probleme me Mercedesin e tij dhe pas disa orësh në garazh, arriti të renditej i pesti. Në pistën e Silverstone zbriti edhe 4 herë kampioni Sebastian Vettel, i cili pas vendit të nëntë në teste, e shikon të largët ditën kur Red Bulli do të gjendet kokë më kokë me Mercedes.
“Ekziston një diferencë shumë e madhe mes nesh dhe kryesuesve të kampionatit. Deri në fillimin e sezonit të ardhshëm do të punojmë pa pushim për t’u afruar me Mercedes. Shpresoj se deri atëherë do të jemi afruar shumë. Që nga testet e dimrit kemi patur mjaft progres, por nuk duhet të harrojmë se edhe rivalët nuk flenë gjumë”, ka thënë Vettel, transmeton SS.
Pavarësisht komenteve shpresëdhënëse, piloti gjerman nuk duket shumë optimist për sezonin tjetër. Sipas Vettel, shanset janë të mira, por nuk ka asnjë garanci se makina e tij Red Bull do të jetë në gjendje të rivalizojë superioritetin e Mercedesit në vitin 2015. /Telegrafi/


