Please enter at least 3 characters.

Vera si afrodiziak: Pse dhe cila mund të jetë më eksituese

Nuk është vetëm alkooli ai që krijon atmosferë; aromat, kujtesa dhe masa e duhur mund të luajnë rol më të madh nga sa mendohet

Rexhep Kryeziu
Ekspert i vreshtarisë dhe verarisë, Zvicër

Vera prej kohësh është pjesë e darkave romantike, bisedave intime dhe çasteve kur dy njerëz afrohen më shumë me njëri-tjetrin. Por përtej atmosferës që krijon, pyetja mbetet: a mund të ndikojë vërtet vera në dëshirën, shqisat dhe disponimin seksual?

Alkooli, dashuria dhe intimiteti kanë qenë gjithmonë të lidhura në mënyra të ndryshme. Ndonjëherë kjo ka sjellë çaste të bukura, e ndonjëherë edhe vendime për të cilat njeriu mund të pendohet të nesërmen. Pse ndodh kjo?

Këtë e shpjegon specialistja e verërave, Shirley Amberg.

Ndoshta të gjithë kemi pasur net kur kemi pirë pak më shumë seç duhet dhe kemi bërë diçka që normalisht nuk do ta kishim bërë: kemi kërcyer mbi një tavolinë, kemi nisur një bisedë më të guximshme, apo kemi kënduar karaoke, edhe pse e dimë mirë se nuk dimë të këndojmë.

Kur ulet vetëpërmbajtja, njeriu bëhet më i hapur, më spontan dhe më i gatshëm për afërsi. Mirëpo, këtu qëndron edhe rreziku: shumë verë mund t’i ulë frenimet deri në atë masë sa të bëhet diçka për të cilën më vonë njeriu mund të pendohet – ose diçka që do të dëshironte ta harronte krejtësisht.

Disa të dhëna shkencore sugjerojnë se vera, për shkak të alkoolit që përmban, mund të veprojë si një lloj afrodiziaku, përtej efektit të thjeshtë të uljes së frenimeve.

Sipas disa vëzhgimeve, personat që konsumojnë verë në mënyrë të moderuar priren të raportojnë dëshirë më të lartë seksuale dhe më shumë kënaqësi në jetën intime sesa ata që nuk konsumojnë fare alkool. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se vera është “recetë” për pasion, sepse ndikimi i saj varet nga personi, gjendja emocionale, marrëdhënia, sasia dhe konteksti.

Një rezultat tjetër interesant është se vera e kuqe duket se lidhet më shpesh me efektin stimulues në atmosferën intime. Kjo mund të ketë të bëjë jo vetëm me alkoolin, por edhe me aromat, ngjyrën dhe mënyrën se si perceptohet në kulturën romantike.

Megjithatë, si me çdo alkool, pirja e tepruar e verës së kuqe mund të ketë efekt të kundërt. Teprica mund të ulë ndjeshmërinë, të dëmtojë reagimin fizik, të prishë përqendrimin emocional dhe madje të nxisë ndjenja ankthi apo trishtimi, duke shuar çdo shkëndijë që mund të ishte shpresuar në dhomën e gjumit.

Pastaj është edhe problemi fizik: disa burra që e lexojnë këtë do të kujtojnë ndonjë rast kur kanë pirë pak më shumë nga lëngu i rrushit të fermentuar dhe, si të thuash, trupi nuk ka bashkëpunuar me dëshirën.

Prandaj, si gjithmonë, moderimi është çelësi. Një ose dy gota verë të kuqe mund të jenë të mjaftueshme për të krijuar relaksim, ngrohtësi dhe stimulim të shqisave. Përtej kësaj sasie, efekti mund të kthehet në të kundërtën.

Cila verë është më tërheqëse?

Kur flitet për verën si pjesë të atmosferës romantike, rëndësi të madhe kanë aromat. Vera nuk përjetohet vetëm me shije, por edhe me nuhatje, kujtesë dhe emocion.

Gratë, sipas disa vëzhgimeve mbi preferencat aromatike, priren të joshen nga aromat e myshkut, tokës, drurit, likoricës dhe nga notat që të kujtojnë qershinë apo frutat e errëta.

Edhe pse nuk ka prova bindëse që një lloj vere mund të ndikojë njësoj te të gjithë, këto përshkrime aromash ngjajnë shumë me fjalët që përdoren për disa verëra të kuqe me karakter më të thellë, si Vrançi, Burgundezi i zi, Katerushi, Kallmeti, Serini ose Merloti.

Burrat, nga ana tjetër, priren të magjepsen nga aromat e livandos, karamelit, gjalpit, portokallit, likoricës, erëzave të ëmbla dhe vaniljes. Këto aroma gjenden shpesh te shampanja, Moscato, Grenache, Syrah, verërat rozë, Sherry ose Port.

Kujtesa nuhatëse ndikon më shumë sesa mendojmë

Kujtimet nuhatëse janë ndër kujtimet më të forta dhe më jetëgjata që kemi. Mjafton një aromë e caktuar – parfum, dru, vanilje, qershi, duhan i lehtë apo verë – që mendja të rikthejë menjëherë një moment, një vend apo një person nga e kaluara.

Nëse keni pasur disa net të bukura me një verë të caktuar, është e mundur që edhe shumë vite më vonë aroma e ngjashme e asaj vere t’ju vendosë në një gjendje më të ngrohtë emocionale. Jo sepse vera ka fuqi magjike, por sepse truri e lidh aromën me një kujtim dhe një përvojë të këndshme.

Në fund, vera mund të jetë pjesë e një atmosfere romantike dhe sensuale, por ajo nuk e zëvendëson as afërsinë emocionale, as respektin, as pëlqimin e ndërsjellë. Kur konsumohet me masë, ajo mund ta bëjë mbrëmjen më të ngrohtë; kur teprohet, mund ta prishë atë që synon ta ndezë. /Telegrafi/