Vepron Task Forca kundër piraterisë dhe falsifikimit
Gjatë kontrollimeve është konstatuar se shumica e subjekteve që merren me fotokopjim të materialeve të shkruara nuk kanë poseduar materiale të paautorizuara. Tek subjektet në të cilat janë gjetur materiale pirate, ato janë sekuestruar nga Inspektorati i Tregut, dhe Policia e Kosovës do të procedojë rastet e shkeljeve në prokurorinë kompetente.
Njoftojmë mbajtësit e të drejtave dhe subjektet të cilat bëjnë prodhimin, shpërndarjen dhe shitjen e materialeve që mbrohen me të drejtën e autorit, se Task Forca kundër piraterisë dhe falsifikimit, do të jetë në veprim dhe do te ndërmerr aksione të vazhdueshme në treg, duke instaluar sistemin e mbrojtjes së krijimtarisë intelektuale dhe luftën kundër piraterisë si një mision të përditshëm të institucioneve shtetërore, njofton Policia e Kosovës.
Task Forca njofton se Policia e Kosovës ka ngritur kallëzimet e para penale kundër shkelësve të të drejtave të autorit dhe procedura penale është duke vazhduar në prokuroritë dhe gjykatat kompetente.
Task Forca rikujton masat e parapara ligjore për shkeljen e të drejtave të autorit:
Sipas Ligjit për të Drejtat e Autorit, nëse personi juridik në kuadër të veprimtarisë së vet ose në biznes me të tjerët, shfrytëzon pa leje veprën e autorit ose lëndën nga të drejtat e përafërta, dënohet me gjobë prej dymijë (2000) deri në dhjetëmijë(10 000) euro.
Sipas Kodit Penal, kushdo që bënë shkeljen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta, dënohet me gjobë dhe/ose me burgim nga 3 muaj deri në 8 vjet. Sendet dhe pajisjet për prodhimin e produkteve që shkelin të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta konfiskohen. /Telegrafi/


