Venizelos i shmanget gjithçkaje “Republic of Macedonia”
Protokolli i tij me kujdes të madh po ndjek hap pas hapi dhe në çdo kohë delegacionin grek, duke shmangur fotografitë para ambienteve apo lokaleve, ku ka mbishkrime Republika e Maqedonisë nëpër institucionet shtetërore dhe qeveritare.
Ai hapur ka refuzuar konferencën e përbashkët me ministrin e jashtëm nikoqir Nikolla Popovski, për shkak se në sallën e konferencave në prapavijë ishte mbishkrimi Republika e Maqedonisë. Kjo është bërë e ditur edhe nga ministri i jashtëm Popovski. “Ndoshta këtë e ka bërë për shkak të prapavijës”, theksoi Popovski, i cili u paraqit i vetëm para gazetarëve dhe se sipas tij, prapavijëa me tabelën ku shënohet mund të mos i ketë pëlqyer shefit të diplomacisë greke.
Popovski tha se me Venizelosin për një orë kanë biseduar me theks të veçantë për kontestin e emrit, por edhe për presidencën greke me BE-në. “Po sigurisht që kemi biseduar. Sepse për ne kjo çështje është me rëndësi dhe duhet hapur të diskutojmë, pasi që ne e dijmë se kjo është pengesa kyçe që na është vënë në rrugën tonë drejt BE-së dhe NATO-s. Nuk besoj se tani nga pala tjetër ka klimë politike për një përqendrim më thelbësor rreth kësaj çështje për të shkuar përpara”, theksoi Popovski.
Sipas tij, Qeveria do të jetë e përkushtuar para përgjegjësive që ka dhe për përmbushjen e reformave për një të ardhme më të mirë në planin e evrointegrimeve. “Ne do të jemi të hapur për dialog në çdo moment, në çdo kohë dhe në çfarëdo lloj formati”, theksoi shefi i diplomacisë, Nikolla Popovski.
Venizelos pas takimit me Popovskin u takua me zëvendëskryeministrin për evrointegrime Fatmir Besimi, me presidentin Gjorgje Ivanov, ndërsa më pas me kryeministrin Nikolla Gruevski si dhe liderët e dy partive, BDI dhe LSDM, Ali Ahmeti dhe Zoran Zaev.
Në mbyllje të vizitës Venizelos do të mbajë një konferencë me gazetarët në Press – qendrën e BE-së në Shkup.
Kujdesi për këtë vizitë ka qenë temë debati e mediave, pasi që shefi i diplomacisë greke udhëtoi nga Prishtina në Shkup me eskortën e makinave zyrtare, për t’iu shmangur aeroportit “Aleksandri i Madh” në Shkup, pasi që është raportuar se edhe kjo do të ishte një incident dhe çështje që do të nxiste debate në opinionin dhe mediat greke. /Ina/Telegrafi/


