Vendimi për rastin ‘Banjska’, jehonë në mediat ndërkombëtare
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me burgim të përjetshëm Blagoje Spasojeviqin dhe Vladimir Toliqin, ndërsa Dushan Maksimoviq është dënuar me 30 vjet burg.
Sipas gjykatësit Ngadhnjim Arrni, bëhej fjalë për “një plan të organizuar mirë që synonte shkëputjen e pjesës veriore të territorit të Kosovës dhe bashkimin e saj me Serbinë”.
Siç raporton Radio Evropa e Lirë, sulmi ndodhi në një periudhë kur bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA dhe BE mes Kosovës dhe Serbisë kishin dështuar, duke përkeqësuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.
Sipas The Washington Post, gjykata i shpalli fajtorë disa nga të akuzuarit për terrorizëm dhe sulm ndaj rendit kushtetues, duke e cilësuar ngjarjen në Banjskë si një akt të organizuar dhe serioz kundër shtetit të Kosovës. Megjithatë, gazeta thekson se një pjesë e madhe e të dyshuarve nuk ndodhen në Kosovë, kryesisht në Serbi, çka kufizon zbatimin praktik të vendimit.
Në analizën e saj, The Washington Post shton se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi
Evropian vazhdojnë t’i bëjnë presion Beogradit për bashkëpunim, por pa rezultate konkrete deri më tani në ekstradime apo ndjekje penale.
Ndërkohë, Associated Press raporton se vendimi përfshin dënime të rënda për përfshirje në përleshjen e armatosur në vitin 2023 mes policisë së Kosovës dhe një grupi të armatosur serb, ku mbetën të vrarë katër persona dhe u rritën tensionet në rajon.
Sipas Associated Press, të dënuarit u shpallën fajtorë për shkelje të rendit kushtetues dhe nxitje të aktiviteteve terroriste me qëllim shkëputjen e veriut të Kosovës, me shumicë serbe, dhe bashkimin e tij me Serbinë.


