Please enter at least 3 characters.

Vedat Muriqi zbarkon në Stamboll, pritet nga tifozët e Fenerbahces

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka mbërritur në Stamboll për të finalizuar rikthimin e tij te Fenerbahçe.

Klubi turk ka arritur marrëveshje parimore me futbollistin kosovar dhe hapi i fundit para zyrtarizimit të transferimit mbetet kryerja e testeve mjekësore dhe nënshkrimi i kontratës.

Ky transferim konsiderohet si lëvizja e parë e madhe e presidencës së re të Aziz Yıldırım, i cili është rikthyer në krye të klubit pas tetë vitesh.

Muriqi nuk është një emër i panjohur për tifozët e Fenerbahçes. Ai veshi fanellën e klubit gjatë sezonit 2019/20, ku zhvilloi 36 ndeshje, duke realizuar 17 gola dhe duke kontribuar me shtatë asistime. Performancat e tij të shkëlqyera në atë periudhë bënë që ai të transferohej më pas në futbollin evropian.

Sulmuesi është pritur në aeroport në Stamboll nga anëtarët e bordit dhe nga një numër i tifozëve.

Sulmuesi 32-vjeçar vjen pas një sezoni shumë të suksesshëm me RCD Mallorca. Pavarësisht rënies së skuadrës nga elita e futbollit spanjoll, Muriqi realizoi 23 gola gjatë sezonit, duke përfunduar i dyti në garën për “Këpucën e Artë” të kampionatit, pas Kylian Mbappé.


Gjatë karrierës së tij, Muriqi ka luajtur edhe për klube si Giresunspor, Gençlerbirliği dhe Çaykur Rizespor, duke u shndërruar në një nga sulmuesit më të suksesshëm kosovarë në futbollin evropian. /Telegrafi/