Vdes një person dhe një tjetër lëndohet nga therja me thikë, arrestohet i dyshuari në Mitrovicë
Një person i moshës 37 vjeçar ka ndërruar jetë dhe një tjetër ka marrë lëndime trupore pasi janë therur me thikë një person tjetër të mërkurën rreth orës 22:00, në Mitrovicë.
Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi të Policisë së Kosovës, ndërkaq siç thuhet i dyshuari është arrestuar.
“Me datën 27 maj 2026, rreth orës 22:00, Policia në Mitrovicë ka pranuar informatën se në Spitalin Rajonal Mitrovicë Jugu gjendet një person i lënduar nga një mjet i mprehtë (thikë). Nga mjeku kujdestar është konfirmuar se viktima mashkull, i moshës 37 vjeç, si pasojë e lëndimeve ka humbur jetën. Njësitet kompetente policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore në lidhje me rastin. Gjithashtu në këtë rast ishte lënduar edhe një person tjetër me mjet të mprehtë nga i dyshuari i njëjtë, ku pas tretmanit mjekësor, gjendja shëndetësore e tij është jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit të krimeve të rënda, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
“Njësitet policore kanë arrestuar personin e dyshuar e gjithashtu është sekuestruar mjeti i mprehtë (thika) me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale. Me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit mashkull i moshës 31 vjeç, i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, ndërsa njësitet kompetente policore do të vazhdojnë me hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/


