Vdekja e 28 vjeçarit nga Ohri, Inspektorati i Punës do të paraqes kallëzim penal në Prokurori
Inspektorati i Punës do të paraqesë kallëzim penal në Prokurorinë Publike për ngjarjen tragjike, në të cilën dy javë më parë, në një objekt banimi në ndërtim e sipër në Ohër, humbi jetën fotografi Kristijan Lushev. Në momentin e tragjedisë 28-vjeçari, së bashku me një person tjetër, po barte elemente, ndërsa u pengua në një kovë, humbi ekuilibrin dhe ra në hapësirën e parashikuar për ashensor në bodrum.
“U konstatua se dy subjekte juridike nuk kishin ndërmarrë masa në përputhje me rregulloret në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë. Për këtë arsye do të paraqiten kallëzime penale në Prokurorinë Themelore Publike kompetente për veprime të mëtejshme”, njoftojnë nga Inspektorati i Punës.Rasti është në fazë hetimi në Prokurori. Është kryer autopsia dhe janë dhënë urdhra për mbledhjen e provave në vendin e ngjarjes.
“Inspektorati i Punës duhet të dorëzojë raport në prokurori lidhur me gjendjen e konstatuar. Ndërkohë, po ndërmerren edhe veprime të tjera, përfshirë marrjen e deklaratave nga persona që kanë njohuri të caktuara”, thonë nga PTHP.
Babai i Lushevit kërkon përgjegjësi dhe zbardhje të rastit nga institucionet, në mënyrë që tragjedi të tilla të mos përsëriten më.
“Pres drejtësi për fëmijën, edhe pse askush nuk mund ta kthejë. Dy-tri ditë para se të ndodhte aksidenti, i çova fëmijës tim portofol. U ngjita dhe hyra lirshëm në atë ndërtesë deri në katin e dytë. Gjëja e parë që vura re ishte se kishte hapësira në ndërtesë, vrima të ashensorëve, ku nuk kishte mbrojtje. Më kapi frika dhe i thashë djalit tim të bëjë kujdes, sepse gjithçka mund të ndodhte”, deklaroi Valentin Lushev – babai i Kristijanit.
Ai kërkon gjithashtu kontroll më të madh nga shërbimet inspektuese dhe respektim të plotë të ligjeve.


