Vandalizohet për herë të dytë Çerdhja e Fëmijëve në Dragash
Çerdhja e Fëmijëve në Dragash është bërë sërish cak i veprimeve vandaliste, vetëm katër muaj pas rastit të parë, duke pësuar dëme të konsiderueshme materiale dhe duke shkaktuar vonesa në funksionimin e saj të rregullt.
Komuna e Dragashit ka bërë të ditur se hapësirat e brendshme të institucionit janë demoluar nga persona të papërgjegjshëm, duke dëmtuar për herë të dytë objektin që shërben për edukimin dhe kujdesin e fëmijëve, përcjell Telegrafi.
“Pas renovimit të parë, sërish ndodhi demolimi, duke sjellë pasoja materiale, financiare dhe vonesa në funksionimin e çerdhes. Ceremonia e inaugurimit, e planifikuar për këtë periudhë, tashmë është shtyrë për një kohë të pacaktuar", thuhet në njoftimin e Komunës.
Autoritetet lokale kanë njoftuar organet e rendit, duke kërkuar identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve. Ndërkohë, përmes Drejtorisë së Arsimit dhe menaxhmentit të çerdhes, janë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për rikthimin e institucionit në funksion sa më shpejt që të jetë e mundur.
Komuna e Dragashit ka theksuar se mbetet e përkushtuar për të siguruar kushte të denja për fëmijët dhe shpreson që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. /Telegrafi/


