Ushtria amerikane goditi një anije në Paqësor, dy të vdekur
Ushtria amerikane njoftoi se ka goditur një anije në lindje të Oqeanit Paqësor, ku janë vrarë dy persona, në sulmin më të fundit të tillë që grupet për të drejtat e njeriut e kanë dënuar si “vrasje jashtëgjyqësore”, ndërsa Uashingtoni e përshkruan si një sulm të drejtuar kundër “narkoterroristëve”.
Komanda Jugore e SHBA-së pretendoi se anija e sulmuar të premten drejtohej nga “organizata të përcaktuara terroriste”, të cilat nuk u identifikuan.
U tha se asnjë pjesëtar i ushtrisë nuk u lëndua, ndërsa të vrarët u përshkruan si “narkoterroristë meshkuj”, pa dhënë detaje të tjera.
“Shërbimet e inteligjencës kanë konfirmuar se anija po kalonte nëpër rrugë të njohura të kontrabandës së narkotikëve në Paqësorin lindor dhe se ishte e përfshirë në operacione të kontrabandës së drogës”, njoftoi Komanda Jugore e SHBA-së në platformën X.
Ata publikuan gjithashtu një video 16-sekondëshe. Ushtria amerikane ka kryer disa sulme të tilla vdekjeprurëse në Paqësorin lindor gjatë javëve të fundit.
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump po sulmon anije që i akuzon për transport të drogës. Në këto sulme të ushtrisë amerikane që nga shtatori janë vrarë më shumë se 170 persona.
Ekspertë dhe organizata për të drejtat e njeriut, si në SHBA ashtu edhe në mbarë botën, kanë vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e këtyre sulmeve.
Human Rights Watch dhe Amnesty International kanë deklaruar se këto sulme përbëjnë “vrasje të paligjshme jashtëgjyqësore”.
Unioni Amerikan për Liritë Civile ka hedhur poshtë pretendimet e administratës Trump kundër personave të shënjestruar, duke i quajtur ato “pretendime të pabazuara që përhapin frikë”. /Telegrafi/


