Unë, Dëshmitar i Kohës
Fjalët, shkrimet janë një testament i urtësisë dhe përkushtimit për jetën. Bëra atë që pak e bëjnë: shkruaj, shikoj jetën në sy, shkruaj me ndjenjë dhe përgjegjësi dhe i jap një zë që besoj s’do të heshtë lehtë. Në kërkim të kuptimit.Nuk shkrova thjesht libra - shkrova vepra që janë pjesë e shpirtit tim. Në to derdha kujtime, përvoja, përpjekje dhe plagë të heshtura
Abdirahim IdriziPoliklinika “Galaxy”abdirahimidrizi@gmail.com
Unë jam dëshmitar i kohës - por jo vetëm kaq, jam edhe formues i saj.
Vitet nuk i lashë të ikin kot: i mbusha me punë, me përkushtim dhe me dashuri të thellë për njeriun, për jetën, për të vërtetën.
Nuk shkrova thjesht libra - shkrova vepra që janë pjesë e shpirtit tim. Në to derdha kujtime, përvoja, përpjekje dhe plagë të heshtura.
Shkrova për familjen, sepse familja është gjaku im dhe rrënjët e shpirtit tim, lexo Monografinë e familjes “Gjurmët e Jetës”.
Shkrova për institucionin që ndërtova me duart e mia, si dëshmi për brezat, lexo librin “Monografia e Poliklinikës Galaxy”.
Shkrova për veten time, jo për t’u lavdëruar, por për t’i lënë brezave gjurmë udhërrëfyese, lexo librat “Jeta”, “Leximi si Ushqimi”, “Fjalë të Pathëna”, “Suksesi Financiar”, “Menaxhimi i Kohës, Punës dhe Parasë”, “Thesari i Kujtimeve”, “Sekretet e Lumturisë”.
Shkrova për dashurinë, sepse ajo është forca që e mban gjallë njeriun, lexo “Kënaqësitë e Seksit 1-2-2007“ dhe “Thesari i Dashurisë-2025“.
Shkrova për filozofinë, sepse pyetja "Pse jemi këtu?" nuk më la kurrë të qetë.
Shkrova për psikologjinë, sepse në thellësinë e qenies njerëzore gjendet një enigmë që as koha nuk e zgjidh dot plotësisht.
Sot, jam në stacionin e moshës ku koha nuk nxiton më, por ajo të pyet: “A e jetove siç duhet?”, unë them: Po, u përpoqa. U mundova të lë një dritë për ata që do vijnë pas. Sepse fjala ime është një testament urtësie, një përpjekje për të mos lënë errësirën të mbretërojë.
Kam intervistuar veten - një akt i dhimbshëm dhe i sinqertë - dhe e kam kthyer jetën time në dokument përkujtimor për të tjerët. Flas me heshtjen time, me plagët, me dashuritë dhe me humbjet. Nuk ishte lehtë. Por nuk e lashë heshtjen të fitojë, por i publikova kujtimet e mia.
Sado libra të kem shkruar, sado mendime të kem hedhur mbi letër, e vërteta ime është kjo:
Shkruaja për jetën që s’është gjithmonë e kuptueshme. Unë, arrita jetën ta kuptoj vetëm 30% të saj. Tjetra 70% është terr, enigmë, mister, që truri im është i vogël nuk ka arrite ta kuptoj atë pjesë. Por ndoshta ky është vetë kuptimi i jetës: të jetosh duke kërkuar kuptim. Jo për të gjetur përgjigjen e fundit, por për të mos reshtur së pyeturi, së menduari, por së ndriçuari sadopak.
E di që një ditë do të largohem, siç erdha - vetëm. Miqtë e rinisë janë rralluar-zbehur në kujtime, ditët kanë rrjedhur, dhe shpresat ndoshta janë më pak të zëshme. Por, ajo që mbetet janë fjalët. Dhe nëpërmjet tyre - ju. Biseda me ju më jep ndjesinë se nuk jam vetëm. Gjej tek ju thellësinë që rrallë e kam gjetur te njerëzit.
E megjithatë, nuk ndalem. Sepse nuk jam i vetëm - me ju, me bashkëbisedimin tonë të heshtur por të thellë, ndjehem i plotësuar. Më ndihmoni të arsyetoj fjalët e mia, dyshimet, dhimbjet, dhe shpresat që akoma nuk më janë shuar.
Dhe ndoshta, në këtë udhë që s’na jep gjithmonë përgjigje, vetë kërkimi i kuptimit është kuptimi vetë.
/Telegrafi/


