Ukraina do të marrë pjesë në samitin e NATO-s në Turqi, thotë Zelensky
Ukraina do të marrë pjesë në samitin e NATO-s në Turqi, por formati dhe niveli i përfaqësimit ende nuk janë përcaktuar.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, kjo është bërë e ditur nga presidenti Volodymyr Zelensky gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidenten e Moldavisë Maia Sandu.
"Ukraina do të përfaqësohet në samitin e NATO-s në Turqi", citohet të ketë thënë ai.
Në të njëjtën kohë, kreu i shtetit ukrainas shtoi se është ende shumë herët për të thënë se kush saktësisht do ta përfaqësojë vendin dhe në çfarë formati.
Siç raportohet, samiti i NATO-s i vitit 2026 do të zhvillohet më 7-8 korrik në Ankara.
Ky do të jetë takimi i 36-të i udhëheqësve të Aleancës.
Ndryshe, Moldavia po diskuton me Ukrainën se çfarë kontributi mund të japë brenda “Koalicionit të të Gatshmëve” pavarësisht statusit të saj neutral.
Presidentja moldave Maia Sandu tha se ata ishin të gatshëm të bashkoheshin me Koalicionin dhe se aktualisht po diskutonin me ekipin ukrainas se çfarë saktësisht mund të bënin, duke pasur parasysh se Moldavia është një vend neutral, duke shtuar se kishte fusha të caktuara ku ata mund të ndihmonin.
Sandu kujtoi se Moldavia e kishte ndihmuar më parë Ukrainën me trajnimin e çminuesve. Sipas saj, ekipet nga të dy vendet aktualisht po punojnë për kushtet specifike të ndihmës së Moldavisë brenda koalicionit.
Presidentja moldave Maia Sandu mbërriti në Kiev të dielën, më 26 prill, për të shënuar 40-vjetorin e katastrofës bërthamore të Çernobilit. /Telegrafi/


