UEFA i përgjigjet Barcelonës pas ankesave për prekjen me dorë të Pubill
Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) hodhi poshtë ankesën e Barcelonës kundër arbitrimit të ndeshjes së parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madridit, në të cilën klubi katalunas u mposht 2-0. Vendimi u mor sot (e martë), pikërisht ditën e ndeshjes së kthimit.
Barcelona ishte e pakënaqur me vendimin e gjyqtarit në pjesën e dytë të ndeshjes së parë. Me Atleticon që kryesonte 1-0, portieri i vizitorëve Juan Musso ia kaloi topin shokut të skuadrës Marco Pubill, i cili e ndali me dorë dhe më pas e nisi përsëri nga vija e pesë metërshit.
Lojtarët e Barcelonës protestuan me zë të lartë, duke kërkuar një penallti dhe një karton të kuq (i dyti i verdhë) për Pubill, por gjyqtari nuk ndërhyri.
Trajneri Hansi Flick tha në një konferencë për shtyp pas ndeshjes se nuk mund ta besonte atë që kishte ndodhur, teksa edhe disa lojtarë e cilësuan si penallti të pastër dhe dëmtim të Barcelonës në këtë rast.
Për shkak të situatës së mësipërme, Barcelona i dërgoi një ankesë zyrtare UEFA-s dhe mori një përgjigje gjatë ditës së sotme.
“Barcelona ka paraqitur një kundërshtim ndaj vendimit të gjyqtarit në ndeshjen e parë. Më 13 prill, Komiteti Disiplinor i UEFA-s ka përcaktuar se nuk ka pasur parregullsi", thuhet në përgjigjen e UEFA-s.
Edhe nëse do të përcaktoheshin parregullsi, UEFA nuk do të merrte asnjë masë dhe as rezultati dhe ngjarjet e ndeshjes së parë nuk do të ndryshoheshin. /Telegrafi/


