Please enter at least 3 characters.

U ofroi para për “kafe” policëve, arrestohet shtetasi i huaj në Vërmicë

Një shtetas i huaj është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, nën dyshimin për veprën penale “Dhënie e ryshfetit”.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 4 korrik 2026, rreth orës 13:00, gjatë kontrollit të dokumenteve të një autobusi në pikën kufitare.

Gjatë procedurës së kontrollit, i dyshuari kishte vendosur një kartëmonedhë prej 5 eurosh brenda dokumenteve të udhëtimit.

I pyetur nga zyrtarët policorë për arsyen, ai ka deklaruar se paratë i kishte lënë “për kafe” për policët që po merreshin me kontrollin.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po hetohet nga autoritetet kompetente. /Telegrafi/