Tyson Fury po i hynë futbollit? Afër ta blejë një klub futbolli bashkë me Zlatan Ibrahimovic
Tyson Fury raportohet se është i etur të bashkëpunojë me Zlatan Ibrahimovic për të përgatitur një ofertë për blerjen e një klubi futbolli në Angli.
Pas 16 muajsh “pensionim”, Fury u rikthye në ring më 11 prill në Londër, ku u përball me Arslanbek Makhmudov dhe fitoi me vendim unanim të gjyqtarëve.
Që prej rikthimit, spekulimet për duelin e radhës kanë qenë të shumta, me një përballje britanike ndaj Anthony Joshua që pritet të ndodhë më vonë gjatë këtij viti.
Megjithatë, këtë javë Fury i befasoi tifozët duke publikuar një foto “ballë për ballë” me ish-sulmuesin e Manchester United, Zlatan Ibrahimovic, duke lënë të kuptohet se do të takohen “në ring” më 1 gusht në Dublin.
Natyrisht, askush nuk beson se Fury dhe Ibrahimovic do të zhvillojnë vërtet një ndeshje boksi, por kjo nuk do të thotë se dyshja nuk po përgatit diçka të madhe së bashku.
Sipas raportimit të The Sun, Fury po përgatit një lëvizje për të blerë klubin e tij lokal, Morecambe, së bashku me legjendën suedeze. Madje, dyshja thuhet se dëshiron ta marrë klubin dhe të nisë një dokumentar në Netflix për ta – në stilin e projektit të Ryan Reynolds me Wrexham.
“Kanë qenë në Varshavë duke xhiruar një reklamë për Kupën e Botës. Tyson po fliste me të për blerjen e klubit të qytetit të tij, Morecambe FC”, citohet të ketë thënë një burim.
“Ata duan ta blejnë klubin dhe të bëjnë një dokumentar në Netflix me titull ‘Rise of Morecambe’. Njësoj siç bëri Ryan Reynolds me Wrexham.
“Të dy e dinë çfarë duhet për të arritur majat. E kaluan shumë mirë gjatë xhirimeve. Reklama ishte për Kupën e Botës dhe ishte e përfshirë edhe marka e ushqimit dhe pijeve të Tysonit, Furocity. Pastaj dolën për darkë.
“Tyson dhe Zlatan janë miq të ngushtë prej vitesh. Zlatan shkonte edhe në palestër me Tysonin kur luante për United”.
Morecambe, ndërkohë, vitin e kaluar ishte shumë pranë falimentimit, përpara se të shpëtohej nga konsorciumi Panjab Warriors. Por një sezon tejet i dobët, që i çoi në rënie nga National League (pasi kishin rënë nga League Two një vit më parë), ka ngritur sërish shqetësime për të ardhmen e klubit.
Pikërisht këtu Fury dhe Ibrahimovic besohet se shohin një mundësi, duke synuar ta kthejnë historinë e Morecambe në një projekt “ringritjeje”, ngjashëm me rrugëtimin e Wrexham pas blerjes nga Reynolds dhe Rob McElhenney në vitin 2021.
Fury, nga ana e tij, raportohet se dëshiron të shfrytëzojë lidhjet e krijuara nga reality-show i Netflix ‘At Home with the Furys’ për të realizuar një seri që synon të ketë ndikim të ngjashëm me ‘Welcome to Wrexham’ (që transmetohet në Disney+).
Një lëvizje e tillë do të kishte kuptim edhe për “Gypsy King”, 37-vjeçar, duke qenë se ai ka lidhje të forta me Morecambe: ai e ka ndërtuar palestrën e tij kryesore të stërvitjes brenda stadiumit të klubit.
Në vitin 2020, Fury bleu një ambient dy-katësh në Mazuma Stadium, të cilin e përdor edhe si qendër për Tyson Fury Foundation./Telegrafi/


