Tuchel u ankua pas ndeshjes me Kroacinë - FIFA ia plotësoi dëshirën sot
Organizatorët e Kupës së Botës kanë ndryshuar protokollin para ndeshjeve pasi përzgjedhësi i Anglisë, Thomas Tuchel, u ankua për pozicionimin e fotografëve gjatë ceremonisë së himneve kombëtare para sfidës kundër Kroacisë.
Tekniku gjerman kishte kërkuar nga FIFA që të ndryshonte urgjentisht mënyrën e vendosjes së fotografëve pranë fushës, duke pretenduar se numri i madh i tyre ia kishte prishur një moment që e konsideronte shumë të veçantë.
Tuchel u shfaq i irrituar që para fishkëllimës së parë të ndeshjes. Gjatë ekzekutimit të himnit kombëtar anglez, ai qëndroi në heshtje dhe nuk këndoi “God Save The King”, ndërsa kamerat kapën momentet kur ai shfaqte pakënaqësi për praninë e madhe të fotografëve dhe kameramanëve përpara tij.
Më herët gjatë ditës së sotme, në ndeshjen mes Republika Çeke dhe Afrika e Jugut, u vu re se fotografët ishin pozicionuar më afër vijës anësore, larg trajnerëve dhe stafeve teknike, një lëvizje që u interpretua si përgjigje e FIFA-s ndaj kërkesës së trajnerit anglez.
"Po prisja këtë moment dhe pastaj nuk pashë asnjë lojtar"
Pas ndeshjes, Tuchel tha se kishte mbetur i zhgënjyer nga organizimi para fillimit të takimit, pasi nuk kishte mundur të shihte futbollistët e tij gjatë himnit kombëtar.
Ai shpjegoi se kishte pritur me padurim atë moment të veçantë, por përpara tij ndodheshin dhjetëra fotografë që i pengonin pamjen.
Sipas tij, ai po qëndronte përballë një muri me rreth 50 fotografë, vetëm gjysmë metri larg, dhe nuk mund të shihte asnjë nga lojtarët e tij. Trajneri anglez shtoi se kjo ia prishi disi përvojën e një momenti që për të kishte një rëndësi të madhe emocionale.
Tuchel theksoi gjithashtu se pjesëmarrja në Kupën e Botës si përzgjedhës i Anglisë përfaqëson realizimin e një ëndrre të hershme. Ai kujtoi se kur ishte i ri dhe po hidhte hapat e parë në profesionin e trajnerit, nuk kishte guxuar as të imagjinonte se një ditë do të drejtonte Anglinë në skenën më të madhe të futbollit botëror.
Reagimi i shpejtë i FIFA-s tregon se organizatorët janë të gatshëm të bëjnë ndryshime gjatë zhvillimit të turneut, nëse ato konsiderohen të nevojshme për përmirësimin e përvojës së ekipeve dhe trajnerëve. /Telegrafi/


