Please enter at least 3 characters.

Trumpi nuk di si të përballet me Kinën, frika e tij e bën luftën me Tajvanin edhe më të mundshme

2023/07/Simon-Tisdall-2.jpg

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Besimi se gjërat e këqija vijnë në treshe është një besëtytni e vjetër, me pak mbështetje në fakte. Megjithatë, në këto kohë të trazuara, është e natyrshme të pyesim veten nëse lufta në Evropë dhe në Lindjen e Mesme do të pasohet nga një luftë në Azi. India dhe Pakistani me armë bërthamore, të cilat kohët e fundit kanë shkëmbyer fyerje dhe raketa, kanë treguar se sa reale është kjo mundësi. I trimëruar nga aleanca me Rusinë, regjimi i paparashikueshëm dhe rebel i Koresë së Veriut kërcënon pothuajse të gjithë.

Megjithatë, është përballja gjithnjë e më e shpejtë e Kinës me Tajvanin, mbështetur nga ShBA-ja, ajo që përbën pjesën më alarmante të kësaj tabloje të zymtë aziatike. Presidenti i Kinës, Xi Jinping, raportohet se u ka thënë gjeneralëve të tij të jenë gati, deri në vitin 2027, për të pushtuar ishullin vetëqeverisës të cilin ai e konsideron si territor sovran të vjedhur. Zyrtarët amerikanë paralajmëruan javën e kaluar se Kina tashmë ka aftësitë e nevojshme për ta pushtuar, që tani, me mjete lundruese amfibe zbarkimi, në stilin e Ditës-D, me parashutistë dhe forca të zgjeruara të luftës ajrore dhe raketore në gjendje të përhershme gatishmërie.

Ushtrimet e fundit ushtarake dhe kërcënuese pranë brigjeve - që pesimistët i quajnë “prova” - si dhe ofensivat e propagandës dhe dezinformimit sugjerojnë se edhe politikisht Pekini po përgatitet për një përplasje. Ai e denoncon Lai Ching-teun, i zgjedhur president i Tajvanit vitin e kaluar, si një “shkatërrues i paqes” dhe pro-pavarësisë. Nën anën tjetër, Lai po mban një qëndrim të ashpër, duke e përshkruar Kinën si një “fuqi e huaj armiqësore” dhe duke zbatuar “17 strategji” për të frenuar sabotimin dhe spiunazhin. Një dramë e re televizive tajvaneze, Dita zero [Zero Day], paraqet ndikimin e tmerrshëm të një pushtimi mbi një komb të papërgatitur.

Ndërsa tensionet përtej ngushticës janë padyshim të larta, një luftë mes Kinës dhe Tajvanit është parashikuar shpeshherë, por deri tani është shmangur. Që nga viti 1979, kur ShBA-ja vendosi marrëdhënie diplomatike me Pekinin dhe e hoqi njohjen zyrtare të Tajvanit (duke premtuar njëkohësisht ndihmë për mbrojtjen e tij), paqja është ruajtur. Por, llogaritjet ndryshojnë dhe vetëkënaqësia është e rrezikshme. Kina është shumë më e fuqishme tani se sa ishte 10 apo 20 vjet më parë. Dhe, për Xinë që mbush 72 vjet në qershor, bashkimi është çështje trashëgimie.

Një sërë faktorësh të tjerë mund ta shtyjnë Xinë drejt një vendimi të fatkeq, veçanërisht përzierja e çuditshme e agresionit anti-kinez me dobësinë personale të Donald Trumpit. Presidenti amerikan mund të rrisë tarifat ndëshkuese mbi eksportet kineze në çdo moment, duke rrezikuar rreth nëntë milionë vende pune në prodhim. Armiqësia e tij ndaj rivalit më të madh të ShBA-së është e dukshme, siç u pa sërish javën e kaluar në kufizimet diskriminuese mbi transferimin e teknologjisë dhe vizat për studentët kinezë.

Këto përpjekje të ashpra për të dëmtuar ekonominë kineze që po përpiqet të rimëkëmbet nga rritja e dobët pas-Kovidit dhe papunësia e lartë, janë të ngjashme me vendosjen e një pistolete në kokën e Xisë. A e kupton Trumpi se sa provokative është kjo? Kontrolli i Partisë Komuniste të Kinës nuk mbështetet në zgjedhje, por në suksesin ekonomik dhe mirëqenien e përbashkët. Me dashje apo pa dashje, Trumpi po godet themelet e fuqisë dhe të autoritetit të PKK-së.

Nëse shtyhet shumë dhe nxitet nga kuadrot nacionaliste të linjës së ashpër, ekziston rreziku që Xi të sfidojë blofin e Trumpit me dy pyetje: A dëshiron ai një luftë tregtare apo një luftë të vërtetë? Apo do të preferonte të arrinte një marrëveshje duke braktisur Tajvanin?

Nëse Kina do të pengonte trafikun detar të Tajvanit, do të kryente sulme të fshehta kibernetike ndaj tij, apo do të vendoste një bllokadë të plotë detare dhe ajrore, pa ndërmarrë pushtim të drejtpërdrejtë, kjo mund ta detyronte Trumpin të tërhiqej në mënyrë poshtëruese. Nuk është sekret se opinioni në Uashington është i ndarë lidhur me mbrojtjen ushtarake të Tajvanit. Nën drejtimin e Trumpit, politika e vjetër e “paqartësisë strategjike” është shndërruar në një gjendje të përhershme frike dhe pasiviteti.

Trumpi nuk dëshiron luftë në Azinë Lindore - dhe Pekini e di këtë. Ai me të drejtë dyshon se, si të gjithë ngacmuesit, arroganca agresive e Trumpit fsheh dobësinë e një frikacaku. Ai refuzon të luftojë për Ukrainën, një interes thelbësor perëndimor, dhe i nënshtrohet agresionit rus. Ai ka frikë se mos Izraeli nis luftë të plotë me Iranin dhe Sirinë, duke përfshirë ShBA-në. Politikat e tij udhëhiqen nga interesi personal, paraja dhe frika - jo nga parimet, traktatet apo ligjet.

Kështu që kur njerëzit pyesin nëse Trumpi do të luftojë për Tajvanin, përgjigjja është e qartë. Në muajt e fundit, Trumpi ka sugjeruar se Tajvani, ashtu si vendet evropiane të NATO-s, po përfiton nga ombrella e sigurisë amerikane dhe nuk po paguan mjaftueshëm për mbrojtjen e vet. Ai ka kritikuar Taipein se gjoja po monopolizon tregun e gjysmëpërçuesve në dëm të vendeve të punës në ShBA dhe ka vendosur tarifa ndaj eksporteve të tij. Asgjë nga këto nuk nxit besimin në qasjen e tij në rast të një krize.

Disa komentatorë amerikanë argumentojnë se Tajvani është një kurth ariu që duhet shmangur me çdo kusht - muzikë për veshët e Xisë. Studiuesit e sigurisë, Jennifer Kavanagh dhe Stephen Wertheim, pohuan së fundmi, në Foreign Affairs, se udhëheqësit amerikanë kanë nevojë për një rrugë të mesme. “Në vend që ta qartësojë angazhimin për të mbrojtur Tajvanin, Uashingtoni duhet ... ta zvogëlojë rëndësinë e mbajtjes së ishullit jashtë duarve të Pekinit”, shkruan ata. Për shumë njerëz, kjo do të tingëllojë si dorëzim.

Mes këtij konfuzioni politik, Tajvani paraqet një objektiv të cenueshëm. Qëndrimi i ashpër i Lait kundërshtohet nga shumë vetë në Taipei, ku ndarjet politike përkeqësohen qëllimisht nga Pekini. Shpenzimet për mbrojtje janë në rritje, por jo mjaftueshëm. Armët e premtuara nga ShBA-ja nuk po mbërrijnë. Kufijtë teorikë të ishullit shkelen lirisht nga anijet dhe aeroplanët kinezë. Forcat e armatosura dhe doktrinat ushtarake të tij kanë nevojë për modernizim urgjent. Këto probleme mund të përmirësohen me kalimin e kohës - dhe kjo është një tjetër arsye pse Xi mund të mos dëshirojë të presë.

Urtësia konvencionale sugjeron se Pekini e vlerëson mbi të gjitha stabilitetin gjeopolitik dhe ekonomik. Por, po sikur ky supozim të jetë i gabuar? Xi, pa dyshim, e sheh betejën për Tajvanin si pjesë të një gare më të gjerë mes ShBA-së dhe Kinës për aleatë rajonalë, epërsi ushtarake dhe dominim global. Tani po shfaqet një mundësi e artë. Falë tarifave të çrregullta të Trumpit, konflikteve të brendshme, politikave izolacioniste dhe prishjes së aleancave me Evropën dhe Azinë, ShBA-ja tani duket e mundshme për t’u mposhtur.

Në Kinë, numri tre konsiderohet me fat. Hong-Kongu iu rikthye Kinës në vitin 1997, i ndjekur nga Makau më 1999. Xi dëshiron ta përmbyllë “het-trikun” para se të përfundojë sundimin e vet. Duke parë çmendinë në Shtëpinë e Bardhë të Trumpit në Uashington, lideri i Kinës mund të jetë i justifikuar kur mendon se Tajvani - dhe mbrojtësit e tij amerikanë - janë gati për t’u marrë. /Telegrafi/