Please enter at least 3 characters.

Trump shkakton debat me foton për riemërtimin e Ngushticës së Hormuzit

Donald Trump ka ripublikuar në rrjetet sociale një imazh ku Ngushtica e Hormuzit paraqitet e riemërtuar në nder të tij, një veprim që ka tërhequr vëmendje dhe debat në mediat ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë, administrata e presidentit amerikan po nxit krijimin e një koalicioni të ri ndërkombëtar që do të synonte të garantonte kalimin e sigurt të anijeve tregtare nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga pikat më strategjike të tregtisë globale të naftës.

Sipas raportimeve të The Wall Street Journal, ky koalicion do të fokusohej kryesisht në bashkëpunimin e inteligjencës dhe në rritjen e presionit përmes sanksioneve ndaj palëve që kërcënojnë sigurinë e këtij korridori detar.

Ndryshe nga aleancat tradicionale ushtarake, nisma nuk synon të jetë një bllok ushtarak formal, por një mekanizëm koordinimi mes vendeve pjesëmarrëse.

Një deklaratë e Departamentit të Shtetit sqaron se shtetet e interesuara mund t’i bashkohen nismës si partnerë diplomatikë ose, në disa raste, edhe si partnerë ushtarakë, në varësi të angazhimit të tyre.

Ndryshe, Ngushtica e Hormuzit ende është e mbyllur edhe pse ekziston një armëpushim mes Iranit dhe SHBA-së. /Telegrafi/